Rexhep Hamiti ka dhënë kontribut të pamohueshëm në avancimin e të drejtave politike të shqiptarëve

Në mesin e personaliteteve të nderuara nga kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, me rastin e 28 nëntorit – ditës së flamurit, ishte edhe Rexhep Hamiti, shkruan gazeta online Mediafokus.info

Rexhep Hamiti u nderua me mirënjohje për ‘kontribut të dhënë në mbrojtjen dhe në avansimin e të drejtave të shqiptarëve’.

Rexhep Hamiti është i lindur në fshatin Zhegoc, komuna e Gjilanit, më 25.12.1931. Me profesion është ekonomist i diplomuar.

Shkollën e mesme ekonomike si dhe shkollën e lartë ekonomike komerciale i ka kryer në Pejë, kurse Fakultetin Ekonomik, në Prishtinë (me korrespondencë)

Gjatë jetës aktive, derisa është pensionuar, ka kryer shumë detyra të rëndësishme. Fillimisht ka punuar mësues në Pozharan dhe Tërprezë të Vitisë, në vitet e pesëdhjeta. Pastaj, deri në fund të vitit 1969 ka punuar në Kombinatin e Tekstilit, si drejtor komercial.

Në zgjedhjet e vitit 1969, është zgjedhur nënkryetar i Kuvendit Komunal dhe delegat-deputet në Kuvendin e Kosovës, në Dhomën Ekonomike të Punës së Bashkuar. Për një kohë, ka qenë kryetar i Lidhjes së Sindikatës Komunale.

Në vitin 1978, për herë të parë një shqiptar emërohet sekretar i Sekretariatit të Punëve të Brendshme, ku Rexhep Hamiti qëndroi 15 muaj dhe pastaj u zgjodh Kryetar i Komitetit Komunal, mandat ky që e ushtroi për 3 vjet e 6 muaj, kur u zgjodh deputet në Kuvendin e Jugosllavisë, në Dhomën e Republikave dhe Krahinave. Në Kuvendin Federativ, Hamiti qëndroi në dy mandate (1982-1993), deri kur u prish Jugosllavia.

Kjo periudhë ka qenë shumë e rëndë për Hamitin dhe shokët e tij deputetë shqiptarë në Kuvendin Federativ, ku vazhdimisht kanë qenë të sulmuar nga ekstremistët dhe nacionalistët serbë, sidomos të atyre të Sheshelit, por edhe prej deputetëve serbë nga Serbia dhe Kosova.

Kjo periudhë, në të vërtetë, ishte shumë e rrezikshme për deputetët shqiptarë, si në Beograd, ashtu edhe gjatë udhëtimit me autobus nëpër Shumadi. Bandat e Sheshelit ishin prezentë si në Serbi, ashtu edhe në Kosovë.

Rexhep Hamiti u kërcënua vazhdimisht edhe në Gjilan, sidomos nga Zhivko Cuckiq, djali i anëtarit të Kryesisë së Kosovës, Predrag Cuckiq.

Në fund, kur serbët e panë se nuk kanë mundësi t`i përvetësojnë për interesa të tyre politike Rexhep Hamitin dhe deputetët tjerë shqiptarë, vendosën ta përdorin forcën e pushtetit dhe i futën në burg, me akuzën shpifëse, kinse kanë dashur që Anamoravën dhe Kosovën t`ia bashkojnë Shqipërisë.

Rexhep Hamiti dhe të tjerët, një grup prej 8 vetash, të gjithë kuadro të njohura të Gjilanit, u mbajtën pesë muaj në paraburgim dhe u dënuan me burgim prej një viti deri në katër vjet e gjysmë, por nuk arritën t`i marrin në vuajtje të dënimit, sepse UÇK-ja dhe NATO-ja, bashkë me Amerikën e sulmuan Serbinë dhe e shpëtuan Kosovën dhe popullin shqiptar nga robëria shekullore serbe./Mediafokus.info