Rikujtim: Çaki i Gjilanit ishte njeriu më i pabezdisshëm i rrugëve të qytetit

Malushi, Çaki, Haki Pijani… ishin disa nga personazhet e veçanta të Gjilanit. Asnjëri prej tyre nuk jeton më.

Së fundi, para një viti, rrugëtimin e tij jetësor e mbylli edhe Çaki. Herën e fundit e kisha takuar të shtrirë në parmakun e gjerë të dritares së teatrit.

Çaki (Kadrush Ajvazi) ndryshonte nga të tjerët me kodin e vetë të komunikimit. Jo të gjithë e kuptonin atë dhe jetën e tij.

Ndonjëherë u afrohej njerëzve, atyre që i njihte më tepër, për t`iu kërkuar një euro, por edhe kur nuk i përgjigjeshin, largohej i qetë.

Jo të gjithë jemi treguar dashamirës me ta. Ka pasur edhe përjashtime.

Për shembull, Ardian Azemi ka publikuar edhe foto me Çakun. Naser Korça, po ashtu. E kishte shok banke në shkollë të mesme. Edhe profesori, Flamur Hyseni ka bërë dedikim për Çakin.

Po i rikthejmë postimet e tyre për të respektuar një person si Çaki, në përvjetorin e parë të ndarjes nga jeta.

Azemi: ‘Me Çakin, njeriun më të pabezdisshëm që ka Gjilani’

Ardian Azemi, një veprimtar politik në Gjilan, bënte shpesh foto me Çakin dhe i postonte ato.

‘Me Çakin, njeriun më të pabezdisshëm që ka Gjilani. E falenderova që ma dha mundësinë me pas një fotografi bashkë’!

Kurse me rastin e ndarjes nga jeta, Azemi, kishte shkruar: “Çaki, dasht Zoti na ke ba hallall nese ndonjehere nuk kemi qene te mire me ty sa ti me neve”.

Hyseni: Çaki i Gjilanit

Profesori universitar Flamur Hyseni kishte bërë një shkrim me titull: Çaki i Gjilanit

Çaki, ka qenë qytetar i Gjilanit, i cili është karakterizuar me heshtjen e tij.

Ecjet e Çakit nëpër rrugët e qytetit, çdoherë më kanë tërhequr vëmendjen. Çdoherë dukej se, kishte nevojë me thënë diçka.

Ka qenë i kujdesshëm dhe me shumë maturi e ka paraqitur ndonjë kërkesë. E kishte të veçantë mirësjelljen. Çaki kishte kërkesa të arsyeshme.

Çakit nuk ia kemi njohur hallet. Çaki me shikimet e tij çdoherë ka treguar se, e ka kuptuar gjendjen tonë. Këtë e dëshmonte me mirësjelljen e tij, duke mos insistuar në realizimin e kërkesave që kishte.

Çaki, do ti mungoj qytetit, rrugëve të tij, që askush më shumë se ai nuk i ka ecur në njëzet vitet e fundit.

Do të më mungon kërkesa e Çakit, “a ma jep ni ero, ta pi ni qaj”.

Ngushëllime secilit që e ka kuptuar drejtë, Çakin!

Lamtumirë qytetar i Gjilanit, Çaki (Kadrush Ajvazi), pusho i qetë siç ishe./Mediafokus.info

Korça: Kadrushi, një ikone e Gjilanit

Dedikim për Kadrushin, ka bë edhe Naser Korça, ish shok klase.

E njoha që nga mosha 7 vjeçare në shkollën fillore në Malishevë, duke qenë në klasë me te dhe për më shumë, në një bankë me te.

Ishte shumë i urte dhe i mire në shkollë, me një sukses mesatar në mësime.

Si shumë shqiptarë të tjerë, edhe ky në moshë të re mori rrugën e kurbetit dhe sigurisht nga vuajtjet dhe mundimet e atjeshme, u kthye përsëri në vendlindje për t`u ballafaquar me vuajtje edhe më të mëdha.

Gjithmonë i urtë dhe i kuptueshëm, edhe atëherë kur nuk i ofrojshin atë që kërkonte, ai largohej në heshtje. U prehtë në paqe shpirti i tij!/Mediafokus.info/