‘Jo, unë ma mirë nuk bëj’ – dedikim për Zijadin Maliqin

Sot bëhen tre vite që kur Zijadin Maliqi, drejtor komunal i Financave në Gjilan, ish-këshilltar komunal dhe aktivist politik, kaloi në amshim, pas një përballje disamujore me sëmundjen. Ai ishte i vetëdijshëm se sëmundja që kishte, do ta fitonte betejën me të, por nuk dorëzohej, shkruan Mediafokus.info

Një zyrtar në Prishtinë, pa e ditur gjendjen e tij shëndetësore, e kishte marrë në telefon për ta pyetur për disa çështje pune dhe me të kuptuar për gjendjen e tij, ishte tërhequr duke i thënë se do ta merrte një ditë ditë tjetër kur të bënte më mirë.

‘Jo, unë ma mirë nuk bëj’ – i ishte përgjigjur Zijadini, pa drojë nga vdekja që e po priste.

Zijadin (Faik) Maliqi u lind në fshatin Busavatë, komuna e Kamenicës nga babai Faik (Mexhit) Maliqi dhe nëna Mihane (Mehmet) Cakolli-Maliqi; familje që kishte përjetuar tmerre nga pushteti i atëhershëm.

Në vitin 1944, gjyshin e Zijadinit (babai i babait), Mexhit Maliqin e kishin kidnapuar pushtuesit dhe nuk dihej ku dhe kur e kanë vrarë, duke lënë familjen dhe rrethin pa informacion rreth kufomës së tij.

Kurse babai i nënës, Mehmet Cakollin e kishin likuiduar vetëm pse ishte patriot dhe kërkonte të drejta për popullin e vet!

Në kushte jo aq të mira, Zijadini filloi shkollimin 5 vjeçar në vendlindje, pasi që në fshatin Busovatë ofrohej edukimi vetëm 5 vjeçarë.

Dëshira e madhe për shkollim ishte nga prindërit, gjyshja dhe agjallarët, diçka që atyre i’u kishte pamundësuar përkundër dëshirës së flaktë!

Gjatë 5 viteve të shkollës fillore, Zijadini ishte nxënës i dalluar si në mësime ashtu edhe në sjellje me shoqëri e me ata që e rrethonin!

Pas përfundimit të shkollimit 5 vjeçar, për të eleminuar problemet gjatë udhëtimeve të gjata drejt shkollës, prindërit e dërguan në Prishtinë pasi atje jetonte familja e nënës. Por kjo nuk zgjati shumë, pasiqë ai nuk arriti të qëndroj larg familjes në atë moshë aq të re.

Klasën VII dhe VIII i kreu në Përlepnicë. Edhe pse udhëtonte 4 orë në ditë, ai arriti të dallohej nga nxënësit e tjerë.

Tri vite gjimnaz i  kreu në Kamenicë, kurse vitin e katërt në Gjilan, në gjimnazin “Zenel Hajdini”.

Pas shkollës së mesme, regjistroi fakultetin ekonomik në Prishtinë.

Gjatë kohës si absolvent filloi punën si profesor i lëndëve ekonomike në gjimnazin “Zenel Hajdini” ku vazhdoi për 16 vite.

Gjatë punës në Gjimnaz, është vlerësuar lartë karakteri dhe angazhimi i tij profesional dhe i sinqertë me të gjithë, e sidomos nga nxënësit që e kujtojnë edhe tani.

Zijadini ka gëzuar respekt dhe përkrahje nga të gjithë: prindërit, familja në përgjithësi, shoqëria, kurse atë që e ka pasur gjithmonë mbështetës deri në ditët e fundit, është axha i tij – Muharrem (Mexhit) Maliqi, njëkohësishtë mbështetës i gjithë familjes në çdo aspekt të jetës.

Gjithmonë, kur kishte nevojë për angazhime shtesë për të mirën e qytetarëve, Zijadini ka dhënë kontribut maksimal duke mos u kursyer asnjëherë.

Vitet e 90-ta, ishin kohë të vështira, kurse Zijadini përveç angazhimeve tjera, kontribut të madh ka dhënë edhe në Këshillin e Financimit.

Gjatë kohës sa ka punuar aty, Zijadini ka qenë i rrezikuar, disa herë i ftuar në polici dhe i kërcënuar, por pavarësisht sfidave asnjëherë nuk është dorëzuar.

Pothuajse qysh në fillimet e saj ka kontribuar në LDK, me angazhim serioz dhe pa u kursyer asnjëherë e sidomos gjatë luftës, edhe pse prindërit dhe familja ishin të shqetësuar.

Zijadini asnjëherë nuk është ndarë nga qytetarët, ku së bashku me aktivistët e tjerë gjatë kohës së bombardimeve kanë identifikuar familje dhe qytetar me mungesë të artikujve eksistencial dhe u kanë dalë në ndihmë duke rrezikuar në çdo moment veten dhe familjen.

Gjatë asaj kohe, për netë të tëra kanë qëndruar roje natën, në mënyrë që të mos ndodhë diçka e papritur!

Pas luftës, Zijadini në 4 mandate ka qenë këshilltar në Kuvendin Komunal të Gjilanit, por me që është vlerësuar ekspert i ekonomisë, i është kërkuar që të kryesojë Drejtorinë për Buxhet e Financa në Gjilan, duke lënë disa herë mandatin e tij si këshilltar i Kuvendit.

Në saje të punës së tij, Komuna disa herë është shpërblyer e shumë herë është marrë shembull për të mirë për menaxhim të buxhetit.

Gjatë një mandati, Zijadini ka qenë i përzgjedhur Menaxher i Zyrës së Prokurimit dhe ka udhëhequr në mënyrë shumë profesionale, pa asnjë shkelje të vetme.

Gjatë viteve është munduar bashkarisht me të tjerët, të orientoj projektet në ato pjesë ku dora e pushtetit nuk kishte prekur asnjëherë, por edhe të plotësohen kërkesat e qytetarëve për zhvillim.

Me 01.04.2020 Zijadini u diagnostifikua me sëmundjen e kancerit në fazë të avancuar!

Zijadini pothuajse nga dita e parë që u diagnostifikua, qëndroi shumë i fortë, me besim se me ndihmën e Zotit dhe mjekëve e familjarëve do ta sfidonte sëmundjen.

Ka qëndruar shumë i fortë dhe asnjëherë nuk ka dashur ta mërzisë familjen me vuajtjet që kishte. Si çdo herë gjithçka ka mbajtur për vete, sepse më tepër kishte dhembshuri për të tjerët.

Zijadinin sëmundja e gjeti në pozitën e Drejtorit për Buxhet e Financa dhe ashtu me atë sëmundje aq të rëndë vazhdoi të punojë pothuajse deri në ditët e fundit, herë në zyre e herë në shtëpi.

Përveç sëmundjes shumë të rëndë që kishte, shqetësim e përgjegjësi kishte edhe për nënën e babain, që ishin të moshuar dhe të lodhur dhe nuk kishte mundësi të qëndronte me ta sikur më parë.

Prindërti e tij nuk u informuan për sëmundjen e Zijadinit, megjithatë më 21.06.2020 nëna e Zijadinit ndërroi jetë. Kjo vdekje i dha një goditje tjetër Zijadinit dhe i përkeqësoi edhe më shumë gjendjen.

Pavarësisht përkujdesjes maksimale nga familjarët dhe mjekët, Zijadinit vazhdoi t`i keqësohet gjendja dhe më 25.08.2020, dy muaj pa i mbushur 65 vite, kur priste pensionimin, sëmundja e sfidoi në qetësi dhe pushoi së rrahuri zemra e tij!

Për të shtuar dimensionin e dhembjeve për familjen, vetëm dy javë pas vdekjes së Zijadinit, vdiq edhe babai i tij.

Duhet të përmendim se nga diagnostifikimi e deri në ditën e fundit Zijadini ka qenë i rrethuar nga familjarët, të cilët i kanë qëndruar pranë.

Zijadini ka qenë i dashur dhe i respektuar dhe pavarësisht kushteve të rënda pandemike, në varrimin e tij kanë marrë pjesë numër i madh i qytetarëve.

Zijadin (Faik) Maliqi, me qëndrimet e vyrtytet e tij, ndikimi i veprave të tij është prezent në familje dhe shoqëri. Familja është gjithmonë krenare me jetën, veprën dhe kontributin e tij gjatë gjithë jetës dhe me mburrje e kujtojnë përjetësisht duke u munduar të ndjekin hapat e tij!/Mediafokus.info