Rikujtim: Demir Krasniqi ishte thesar i këngës shqipe
Para katër vitesh, ndërroi jetë në Gjilan, në moshën 71-vjeçare, këngëtari dhe arsimtari i Muzikës, rapsodi Demir Krasniqi.
Fillet e para të muzikës i mori te mësuesi Rexhep Bunjaku.
Me vite të tëra punoi profesor i muzikës, duke lënë gjurmë nëpër shumë shkolla të Anamoravës e Kosovës.
Po ashtu, ishte një këngëtar e tekstshkrues shumë i mirë.
Demir Krasniqi la pas një opus prej mbi 1500 këngësh e vallesh origjinale, të kompozuara nga vetë ai.
Njëherësh ka grumbulluar mbi 4.000 këngë të ndryshme nga folklori popullor.
Është marrë edhe me gazetari, ku ka dhënë një kontribut modest.
Krijimtaria artistike – kulturore është fusha të cilës i kushtoi tërë jetën.
Ai bëri edhe monografinë për këngëtarin popullor Qamili i Vogël, si dhe vëllime tjera librash më gërshetime motivesh epike-lirike.
Këndoi në shumë mjedise dhe ahengje, në festivale, përkrah emrash të shquar të këngës shqipe, si Nexhmije Pagarusha e të tjerë.
Etnomuzikologjia shqiptare e ka për borxh që t`i qaset në të ardhmen gjithanshëm studimit të opusit të tij prej kompozitori, kantautori dhe vjelësi të zellshëm të folklorit muzikor.
Ndryshe, Krasniqi është autor i shumë veprave e krijimtarive muzikore, folklorike, artistike. Thjesht, ishte një thesar i këngës shqipe.
Demir Krasniqi është autor i veprave si: Mallëngjima e Ushtima (Prishtinë, 1993), Qamili i vogël – zë që nuk shuhet – monografi (Prishtinë, 1995), Gjakon Kosova (Gjilan, 1998), Bejtë Pireva (Gjilan, 2002), Zeqir Maroca (Gjilan, 2002), Këngë krismash lirie I (Gjilan, 2003), Këngë krismash lirie II (Prishtinë, 2003), Familja Kurti nga Tygjeci – monografi (Prishtinë, 2004), Shtojzovallet e Gollakut (ETMM i Kosovës, Prishtinë, 2005), Kushtrim lirie (SHB Kurora, Gjilan, 2005), Liman Shahiqi -trimi i Gollakut (Prishtinë, 2005), Kroi i këngës (Gjilan, 2006), Qamili i Vogël – Këngë përjetësie (mblodhi, redaktoi dhe deshifroi me nota Demir Krasniqi), Krenaria e Gollakut (me rastin e 40-vjetorit të karrierës dhe krijimtarisë muzikore) – (Gjilan, 2008), Diell Lirie (Gjilan, 2008) etj./Mediafokus.info

