Rikujtim: Hafëz Sadri Rahimi ishte njeri i dijes, urtësisë dhe devotshmërisë
Hafëz Sadri (Bahtijar) Rahimi nga Malisheva e Gjilanit, nuk jeton prej një viti. Ai u nda nga jeta në mëshën 83-vjeçare, por gjithmonë do të kujtohet si një njeri i dijes, urtësisë dhe devotshmërisë.
Tërë jetën ia kushtoi shërbimit ndaj fesë, arsimimit fetar të brezave dhe ndihmës ndaj komunitetit. Ishte shembull i moralit, i dijes dhe i punës së ndershme.
Memorizoi Kur’anin që në moshë të re, kreu studime fetare e gjuhësore dhe shërbeu mbi katër dekada si imam në Pozharan, Cërnicë dhe Malishevë.
Kudo që shërbeu, la gjurmë të pashlyeshme në zemrat e njerëzve.
Hafëz Sadriu lexonte dhe shkruante poezi e ilahi, por fatkeqësisht të gjitha shkrimet i janë djegur në luftën e fundit.
I kishte shpëtuar vetëm një poezi patriotike që mbante titullin: “Malli për Kosovën”.
Së bashku me poezitë i ishin djegur edhe shënimet e ligjëratave që i kishte mbajtur në xhaminë e Pozharanit dhe të Cërnicës, gjatë kryerjes së profesionit prej imami.
Madje, ai ishte edhe i perndjekur nga regjimi serbo-sllav në vitet e 90-ta.
Hafëz Sadri Rahimi kontribuoi me përkushtim në KBI të Gjilanit dhe të Kosovës, edukoi breza të rinjsh, u angazhua në çështje humanitare dhe u bë shembull i përulësisë, dijes dhe ndershmërisë.
Kontributi i tij do të mbetet gjithmonë i pa shlyer.
Me fjalën, lutjen dhe shembullin e tij ai preku shumë zemra, forcoi besimin dhe fali gjithçka nga vetja për paqe.
Organizata e Paqes Universale e dekoroi me titullin më të lartë – Ambasador i paqes universale.
Ishte hoxha i parë në gjitha trevat shqiptare me këtë titull./Mediafokus

