Rikujtim: Irfan Shaqiri, një intelektual e veprimtari i palodhur i çështjes kombëtare
Para një viti u nda nga jeta në moshën 74-vjeçare, intelektuali e veprimtari i palodhur i çështjes kombëtare nga Përlepnica e Gjilanit, Irfan Shaqiri.
Dy klasët e para të shkollës fillore i kreu në fshatin e lindjes, ndërsa gjashtë klasët e tjera të fillores i kreu në Gjilan, në shkollën “Musa Zajmi”.
Pastaj u regjistrua në Normalen e Gjilanit, nga ku edhe përjashtohet më 14 janar 1969 për shkak të organizimit dhe pjesëmarrjes në demonstratën e 27 nënorit 1968 në Gjilan.
Pas përjashtimit nga Normalja, Irfani shkoi në Preshevë ku i dha provimet e gjimnazit, për të diplomuar në shtator të vitit 1969.
Menjëherë pastaj, po të njëjtin vit, u regjistrua në Universitetin e Prishtinë, Fakulteti Filozofik, Dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe.
Më 1 prill 1969 i organizohet një gjyq në Gjykatën Komunale të Gjilanit, ku dënohet me një vit burgim, për organizimin e demonstrates të 27 nëntorit 1968 në Gjilan.
Pasi doli nga burgu, Irfani vazhdoi studimet në fakultetin Filozofik në Degën për gjuhë dhe Letërsi Frënge.
Nga 20 korrik 1970 e deri më 29 korrik 1975, kur ai arrestohet me grupin e Adem Demaçit, është arrestuar 14 herë, duke u mbajtur nga 2 deri në 72 orë në lokalet e organeve të hetuesisë së UDB-së në Gjilan.
Gjykimi i grupit të Adem Demaçit zgjati disa ditë, për të shpallë më 7 shkurt 1976 dënimet drakonike ndaj të burgosurve, në mesin e të cilëve edhe për Irfan Shaqirin, të cilin gjykata e dënoi me 7 vite burgim.
Si shumë të tjerë, edhe Irfan Shaqiri arrestohet më 2 prill 1981 për t’u dërguar në izolim të plotë, në burgun e Qarkut në Gjilan.
Më 7 shkurt 1974 Irfani filloi për herë të parë të punojë si profesor i gjuhës frënge në gjimnazin “Zenel Hajdini” në Gjilan, ku punoi afro tre muaj, për t’u larguar nga strukturat komunale të Gjilanit si person i papështatshëm ideo-politikisht.
Më 1 shtator 1974 Irfani megjithate ia arriti që të punësohet përsëri si profesor i gjuhës frënge në gjimnazin “Sezai Surroi” në Bujanoc, ku punoi deri më 29 korrik 1975, kur edhe u arrestua me grupin e Adem Demaçit.
Pas mbajtjes së dënimit me burg, Irfani u detyrua të merrej edhe me punë të rënda për të mbajtur familjen e tij, e njëkohësisht duke u angazhuar edhe në rrjedhat politike të kohës.
Irfani ishte i martuar me dr. Maxhide Ramiqi-Shaqiri dhe pas vete ka lënë tri vajza.

