Rikujtim: Xhemajl Hyseni ishte njeri i përgjigjeve të prera
Xhemajl Hyseni (1956-2011) ndërroi jetë para 14 vitesh, në moshën 55-vjeçe.
Hyseni ka qenë kryetar i Komunës së Gjilanit, pas luftës, për më shumë se dy vjet.
Xhemajl Hyseni, së fundi ishte nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Dardanisë (LDD), të cilës i ishte bashkuar që në fillimet e saj, pas ndarjes së madhe që kishte ndodhur në LDK.
Hyseni ishte kryetari i vetëm i një Komune që vendosi të rreshtohet përkrah Nexhat Dacit, me të cilin, në fund, sipas bashkëpunëtorëve të tij të afërt, kishte shprehur mospajtime rreth mënyrës së udhëheqjes së partisë, e cila dita-ditës po rrënohej.
Atij i ishin bashkuar një numër i konsiderueshëm i anëtarëve të atëhershëm të Kuvendit Komunal dhe aktivistë tjerë partiakë, të cilët më vonë u rikthyen në LDK.
Hyseni, aktivitetin politik e kishte filluar në fund të viteve të 90-ta, si veprimtar i LDK-së, ku ishte njëri nga themeluesit e saj dhe dy herë kryetar dege.
Më pas ishte kryetar i Këshillit Komunal për Financim, ndërkohë që në zgjedhjet e para lokale ishte zgjedhur nënkryetar i Komunës së Gjilanit, post të cilin e mbajti në dy mandate.
Në vitin 2004, pas shkuarjes së kryetarit Lutfi Haziri (LDK) në qeverinë e Kosovës (ministër i Pushtetit Lokal), ai u zgjodh kryetar i Komunës së Gjilanit, post ky të cilin e ushtroi për më tepër se dy vite.
Ai ishte kandidat për kryetar të Komunës së Gjilanit, edhe në vitin 2007, por nuk ia doli të fitojë, kurse në zgjedhjet nacionale, ishte kandidat për deputet në Parlamentin e Kosovës.
Hyseni është cilësuar nga bashkëpunëtorët e tij, madje dhe nga rivalët politikë, si njeri i guximshëm dhe që ka lënë gjurmë në jetën politike e institucionale të vendit.
Hyseni është përshkruar nga kronistët si njeri që fliste pak dhe qartë, që thoshte “po” ose “jo”.
Në retorikën e tij nuk kishte përgjigje asnjanëse.
Ish-kryetari i Komunës, Lutfi Haziri e ka nderuar me mirënjohje, pas vdekjes, Xhemajl Hyseni. /Mediafokus.info

