Riprofilizohet PSD, e majtë progresive dhe anti-populliste
Kryetari i ri i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka njoftuar për riprofilizimin e kësaj partie.
“…parti e majtë progresive dhe anti-populliste”, ka shkruar ndër të tjerash, Molliqaj.
Ja statusi i tij i plotë:
“Një javë pas zgjedhjes, Këshilli Drejtues i Partisë Socialdemokrate mbajti mbledhjen e parë ku zgjodhi Kryesinë e re të PSD-së, nënkryetarët dhe Sekretaren e Përgjithshme. Kryesia e përbërë nga 50% gra dhe 50% burra, është ekipa që sot mori përgjegjësinë e udhëheqjes së PSD-së në rrugën e saj të re.
Kjo mbledhje u përshkua nga diskutimi mbi projektin e ri politik të PSD-së dhe profilizimin e ri të partisë, si parti e majtë progresive dhe anti-populliste. Gjatë muajit janar do të përmbyllet edhe faza e profilizimin të partisë.
Bashkë me kryesinë e re kemi përpara një rrugë të gjatë e të mundimshme për të prodhuar në Kosovë një subjekt që përmes kritikës ideologjike dhe veprimit konkret do të përballet me valën e re të popullizmit që po e prekë edhe Kosovën.
Urime të gjithë atyre që u zgjodhën sot në pozitat drejtuese të Partisë Socialdemokrate!”/MediaFokus/

