Roli i politikanëve, intelektualëve dhe gazetarëve në zbatimin e Planit Europian është i pazëvendësueshëm
Roli i politikanëve, intelektualëve dhe gazetarëve në zbatimin e Planit Europian (Franko-Gjerman) në krijimin e atmosferës pozitive mund të jetë i madh dhe është i pazëvendësueshëm.
Në këtë aspekt unë i shoh ata të angazhuar në radhë të parë për formimin e vetëdijes individuale e kolektive në shoqëri për rëndësinë e bashkëjetesës dhe perspektivës së përbashkët në shtetin e Kosovës.
Kjo duhet të realizohet mbi bazën e bashkëbisedimit të shtuar e sistematik me serbët lokalë dhe veçanërisht angazhimit për institucionalizimin e mësimit të ndërsjellë të gjuhëve zyrtare që nga vitet e para të shkollimit.
Megjithatë për t’u realizuar ky rol i duhur i politikanëve, intelektualëve dhe gazetarëve, janë të domosdoshme në radhë të parë, mjedisi i sigurtë dhe mirëqenia ekonomike në vend.
Dispozitat shumë të avancuara të Kushtetutës së Kosovës sa i përket të të drejtave individuale dhe kolektive të komunitetit serb në Republikën tonë, nuk i lënë hapësirë Republikës së Sërbisë dhe forcës politike të instrumentalizuar në plotni nga ajo, Listës Serbe, që të kamuflojë qëllimin e vërtetë të shtetit serb në procesin e dialogut – eliminimin e autoritetit ekzekutiv të Qeverisë së Kosovës në veriun e vendit me resurse strategjike minerare.
Përpjekjet e Serbisë që këtë ta bëjnë nëpërmjet themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë të popullatës serbe, indukojnë natyrshëm reagimin e qeverisë së Kosovës për mbrojtjen e integritetit teritorial dhe kushtetues të vendit.
Situata është tejet komplekse veçanërisht kur kemi parasysh shkeljet e qarta të Marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të saj të miratuar në Ohër nga ana e Serbisë.
Si të shkohet përpara? Si të krijohet atmosfera pozitive në këto rrethana të instrumentalizimit të skajshëm politik të qytetarëve serbë të veriut të vendit nga ana e shtetit serb?
Shumë shpejt, pas disa muajve, pas themelimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe do të mund të ballafaqohemi me njërin nga tri skenaret:
1) Shqiptarët e lumtur e serbët e mërzitur me fuqizimin e shtetit unitar të Kosovës
2) Serbët e lumtur e shqiptarët e mërzitur me fuqizimin e shtetit të Serbisë në Republikën e Kosovës
3) Ambasadorët e lumtur veçanërisht ata të shteteve të Quintit me realizimin e objektivave politike të shteteve të tyre ndërsa të gjithë qytetarët e Kosovës, si zakonisht, të hutuar dhe në mëdyshje të mëdha për të ardhmen e shtetit të tyre dhe të ardhmen e tyre familjare e personale.
A ekziston alternativa e këtyre situatave?
Konsideroj se pikënisja e çdo diskutimi në periudhën e ardhshme për zbatimin e Planit Europian (Franko-Gjerman) duhet të jetë respektimi i plotë i Kushtetutës së Republikës së Kosovës që përndryshe ka qenë rezultat i konsenzusit të plotë të autoriteteve ndërkombëtare dhe institucioneve shtetërore të Kosovës në kohën kur u miratua.
Kjo është sipas mendimit tim alfa dhe omega e çështjes.
Parimi i respektimit të kushtetutshmërisë qartë është theksuar në Marrëveshjet e Brukselit të viteve 2013 dhe 2015, në letrën e kryenegociatores së BE-së, Mogherini, si dhe në qëndrimet e përsëritura lidhur me këtë çështje të Presidentit Biden, administratës Amerikane, Kancelarit Sholc dhe shumë udhëheqësve të shteteve të BE-së.
Respektimi i dispozitave kushtetuese të Republikës së Kosovës rreth statutit të Asociacionit, që në fillim të procesit negociator paraqet conditio sine quanon për krijimin e atmosferës pozitive në Kosovë dhe zbatimin e suksesshëm të Planit Europian.
Angazhimi për respektimin e kushtetutshmërisë së vendit paraqet angazhim për rend e rregull dhe paqë e siguri, që janë në interesin jetik të çdonjërit qytetar të vendit, pavarësisht nga përkatësia e tij etnike, që do të rezultojë me sigurinë e qytetarëve dhe shtetin e Kosovës – urë lidhëse me shtetet fqinje dhe të rajonit.
Me përkushtimin për respektimin e plotë të dispozitave kushtetuese të Republikës së Kosovës, që është theksuar edhe në Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2015, në fund të procesit dialogues nuk do të ketë humbës por të gjithë do të jemi fitues.
Duke respektuar parimin e respektimit të plotë të kushtetutshmërisë edhe roli i politikanëve, intelektualëve dhe gazetarëve në zbatimin e Planit Europian do të jetë brenda kornizave që promovojnë paqë, rend, siguri e prosperitet për çdo qytetar.
Në të kundërtën, në situatën e fituesve dhe humbësve, të gëzuarve dhe të dëshpëruarve, nuk mund të parashihet asgjë më mirë se vazhdimi i krizës aktuale në dimensione e drejtime të ndryshme.
Po e përfundoj fjalën time me apelin te çdo pjesëmarrës i zbatimit të Planit Europian, të mbështetur nga SHBA që Kushtetutën e Republikës së Kosovës, të miratuar me pëlqimin e tyre më 9 prill të vitit 2008 ta kenë të panegociueshme dhe në themel të statutit të asociacionit.
Prof. Dr Ferid Agani


