Rrëfehet vajza pasi i dha lamtumirën babait: Në Pulmologji, çdo gjë bëhej me vonesë

Elida Kryeziu ka publikuar në profilin e saj një letër, ku përshkruan gjithë dhembjen e saj për babain, Lulzim Kryeziu, kameraman në RTK, gjatë kohës së trajtimit në Pulmologji në QKUK, ku thotë se nuk gjente mjekë për ta ndihmuar.

Letra e plotë e Elidës:

Miq e familjarë, ju që na e lehtësuat sado pak këtë dhimbje me telefonata e mesazhe të shumta. FALEMINDERIT!

Ne humbëm shtyllën e familjes, por e di se dhe ju të gjithë humbët një familjar, mik, shok e koleg me vlerë.

Babi ishte fjalëpak, por shpirtin e zemrën i kishte plot dashni…

Nuk e kisha menduar asnjëherë që do ikte në këtë mënyrë!

Ishte gjithçka shumë e shpejtë e trishtë dhe me shumë dhimbje…

Ai njeri që gjithë jetën me objektivin e tij na solli pamjet nga anë e kënd vendit, në qastet e fundit nuk pati mundësinë që me sytë e tij të sheh nga afër familjaret e tij!

Kjo gjendje që tronditi botën, trokiti dhe në derën tonë…ca simptoma, një lodhje na drejtoi në QKUK, aty ku mijëra vetë po luftojnë me jetën e vdekjen…

Minutat e orët, sa ishin të shpejta, aq edhe të gjata njëkohësisht. Të shpejta kur analizat tregonin se gjendjen e ka të mirë, të shpejta e të trishta kur çdo gjë përmbysej në moment!

Për një fraxiparinë, apo për një insulinë (të anashkaluar me apo pa dashje) gjendja e tij luhatej tmerrshëm! Vrapoja koridoreve për të kërkuar ndihmë, tek-tuk ndonje motër, se mjek nuk shihje me sy veç një herë të vetme!

Pulmologji emrin mos ta dëgjofsha…vetëm oksigjen, asgjë tjetër! Gjendja luhatej bashkë me të dhe zemrat tona që luteshin që të ndodhte një mrekuli.

Transferohet në Intensivë…aty kujdesi ishte nivel tjetër. Shkëputemi nga ai pasi nuk bënte më të bëhemi ne ”mjek” për të siç bëmë 48 orë! Ku e pamë të tretej e nuk mundëm të ndihmonim, sepse çdo gjë kryhej me vonesë!

Jo për fajin tonë…por nuk e di, nga lodhja nga mosdija apo nga vet kultura që pamë në Pulmologji…

Orët ishin shekuj, gjendja i përkeqësohej duke zbardhë mëngjesi, ai po luftonte me jetë, e  ne me lutjet se ndoshta do ia dalë mbanë…

E diel 1 nëntor

Prishtina po ngrohej nga rrezet e diellit si të ishte pranverë, e trupi i babit po shkrihej e po ikte duke na lënë të thyer përjetë me këtë ikje të shpejtë e të papritur…

Një lot shkoj faqes duke na përshëndetë me mall, e ne mbetëm pas të shtangur nga kjo humbje!

Mblodhe mjaftë njerëz në përcjelljen e fundit! Nuk i frikësoi as virusi të thonë LAMTUMIRË…

Trupi yt u pre në Dragodan bashkë me perendimin e kuqërremtë që dielli i dha qytetit…

Mall shumë mall, por krenarë që patëm një baba, bashkëshort e vëlla si Ti!

Lamtumirë babi!