Rrëfim prekës: Si më vdiqën nëna dhe vëllai nga COVID-19
Xhelal Çelaj me profesion ekonomist ka rrëfyer përvojën e tij pas infektimit me koronavirus.
Ai ka treguar se nga COVID-19 ka humbur nënën 81-vjeçare dhe vëllain 51-vjeçar.
Personalisht ai thotë të mos ketë pasur simptoma nga koronavirusi, derisa tregon se kishte qëndruar me nënën e tij në spital në Prizren për dy javë.
“Pas testeve që i kemi bërë nëna ka dalë pozitiv pastaj është trajtuar në Klinikën Pulmologjike deri në momentin e fundit të saj. Fillimisht ishte trajtuar në Pediatri por pas sulmit në mushkri, ajo u bart në repartin e Pulmologjisë. Duke ju falënderuar familjarëve që janë jashtë ia kemi dalë me shpenzime. Edhe nëna edhe vëllai kanë qenë të prekur me koronavirus i cili pastaj ju ka kaluar në mushkri. Ata kanë qenë vazhdimisht me oksigjenoterapi. Tri ditë pas vdekjes së vëllait, ka vdekur nëna”, ka thënë ai.
Çelaj ka thënë se shërbimet kanë qenë nën mesatare në spitalin e Prizrenit.
Ai ka thënë se vëllai i tij ka vdekur për shkak të mungesës së shërbimeve. Sipas tij, ai ka vdekur për shkaqe teknike.
“Teknikët nuk kanë pasur oksigjen rezervë me i vendosë, është dashur të dalin nëpër dhoma tjera të kërkojnë. Mjekët kujdestarë kanë ardhur me vonesë. Gjatë transportit për në repartin Intensiv nuk iu ka punuar kartela në ashensor, derisa kanë dalë, vëllai ka qenë pa shenja jete”, ka thënë ai, duke shtuar se lidhur me rastin kanë dhënë deklarata edhe në Polici.
Ai rrëfen se vëllai më pas kishte rezultuar negativ me koronavirus, porse ishte trajtuar përsëri me terapi për COVID-19.
Çelaj thotë se për të njëjtin është bërë edhe autopsia.
“Vëllai ka vdekur para nënës, madje para se ta dërgonim në repartin tjetër, kishte bërë me gisht që të mos e dërgonim. Ndërkaq nëna në dy tre ditët e fundit nuk ka qenë me vetëdije”, ka thënë ai.
Ai tutje ka shtuar se ka mjekë e teknikë profesional që bëjnë me ndershmëri punën e tyre, porse thotë se gjendja në Spitalin e Prizrenit lë shumë për të dëshiruar.
Çelaj ka thënë se askush nuk duhet ta nënçmojë gjendjen me COVID-19.
“Unë ju bëj thirrje njerëzve ta kuptojnë më seriozisht, t’i marrin masat mbrojtëse dhe të kujdesen më shumë”, ka thënë ai.

