Rrëfim: U shtriva në spital me COVID-19, s’më mbytën, por më shëruan

Xhelal Salihu i është kundërpërgjigjur zërave jo të paktë të kosovarëve, të cilët kohëve të fundit i kanë shpërfaqur paragjykimet lidhur me trajtimin në spitalet kosovare të pacientëve me COVID-19, shkruan Mediafokus.info.

Teksa e ka komentuar artikullin e Mediafokus.info, me titull “Mos shko n’spital se t’mysin”, si u përgjigjet paragjykimeve Dr. Uka”, Salihu ka rrëfyer përvojën e tij të mirë në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit, pasi ishte shtrirë aty pas infeksionit me COVID-19.

Ai ka shkruar se ‘nuk e mbytën, por e shëruan’.

“Unë isha i prekur me Covid. U shtrina në spital, në repartin e infektivës. Nuk më mbytën, por më shëruan. Publikisht e kam falënderuar dhe e falënderoj stafin mjekësor, prej ndihmës së parë, emergjencës, repartin e Infektivës, për profesionalizëm dhe angazhim”, ka qenë komenti i Xhelal Salihut.

Ndryshe, drejtori Klinik i Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit, Dr, Ukshin Ismaili, në një deklaratë për Mediafokus.info, ka porositur kosovarët që t’i lënë paragjykimet t’ju vyshken dhe të shkojnë në spital sa herë të kenë nevojë.

“Askush s’ju mbyt. Ne kemi qenë këtu shumë më parë dhe do të vazhdojmë të jemi me duar të pastra, mbi betimin e hipokratit gjithmonë”, ka thënë Ismaili./Mediafokus.info/