Rrëfimi i profesorit: Agimi i lagjes sime
Nga Bilall Haliti
(Duke e kujtuar Agim Ramadanin)

Agimi i takonte lagjes sime në fshat. As njëqind metra largësi nuk i ndanin shtëpitë tona. Në të vërtetë në atë truall tash pas lufte, është ndërtuar shtëpia e re për familjen e Agimit, sepse shtëpinë e vjetër, ku lindi dhe e kaloi fëmijërinë dhe një pjesë të rinisë Agimi, hordhitë barbare serbosllave e dogjën deri në themel më 1999
Edhe sot shtëpitë tona i ndan po ajo largësi. E meqë familjet tona i lidhë një traditë e gjatë, marr të drejtën të rrëfej edhe për fëmijërinë e Agimit, para se të rrëfej për Agimin e bankave shkollore, si arsimtar i mëvonshëm i tij.
Agimi – fëmijë
Si banorë të së njëjtës lagje që ishim, edhe takimet e mia me Agimin – fëmijë ishin të shpeshta, pothuaj të përditshme. Me të takohesha para dyerve të shtëpisë së tij, në rrugët e fshatit, në periferi ose edhe jashtë fshatit. Në këtë mënyrë, mu për shkak të kontakteve aq të shpeshta, kisha mundësinë të vëreja për së afërmi botën e tj të brendshme.
Botën shpirtërore të një fëmije jo të zakonshëm, e që kishte zgjuar kureshtjen time dhe jo vetëm timen, po edhe kureshtjen e të tjerëve… Në të parë, njeriu formonte bindjen se Agimi, si fëmijë që ish, nuk dallonte nga moshatarët e tij. Natyrisht kjo bindje formohej me arsye, sepse edhe ai si moshatarët e lagjës a fshatit, preokupohej me të njëjtat gjëra.
Edhe vetitë që e karakterizonin, përputheshin me ato të mocanikëve të tij. Ishte i gjallë dhe i hareshëm. Po kishte diçka që e dallonte nga të tjerët: ai ishte në qendër të vëmendjes, ishte shumë i popullarizuar dhe kishte respektin në mesin e shokëve. Këtë simpati ai e kishte fituar në saje të gjeturisë së vet për organizuar jetën në rrethin e shokëve.
Ndonëse ishte prijatar, autor dhe novator i shumë ideve në lojërat me shokë, kurrë nuk imponohej. Ishte parlamentar dhe i pranonte propozimet e shokëve dhe mendimet e tyre.
Nuk hidhërohej me shokë, ishte i shoqërueshëm. Ishte tepër modest dhe solidar. Për asnjë moment te ai nuk shfaqej egoizmi e xhelozia, që shpesh shfaqet te fëmijët. Edhe diçka e dallonte Agimin prej mocanikëve të tij: ishte më i pjekur për moshën që kishte! Ndonëse fëmijë – gjykonte si një i rritur, madje si plak. Në biseda me moshatarët e vet, ishte në gjendje të improvizojë dhe të shtirej si ata, ndërsa në biseda me të rriturit, bëhej partner i barabartë!
Agimi – nxënës
Cili ishte Agimi nxënës? Agimi i bankave shkollore. Ai i fillores dhe ai i shkollës së mesme. Meqë pata fatin ta kem nxënës në klasat e larta të fillores dhe në klasën I të Arsimit të Mesëm të Orientuar në Gjilan, përkatësisht Paralelja e Ndarë në Zhegër, do të flas për këtë kohë.
Gjatë kohës sa ishte nxënës imi, pata mundësi të njihja preokupimet dhe aftësitë e tij edhe më përafër, edhe atë jo vetëm sa ishte në shkollë, po edhe jashtë saj, gjatë aktiviteteve të lira.
Tash Agimi ishte më rritur, nuk ishte më Agimi fëmijë. Para tij ishte hapur një horizont i ri: ai i diturisë. Ishte i zellshëm dhe kureshtar për të mësuar gjithçka. Tash po vëreja talentin dhe prirjet e veçanta të tij. Nuk kish lëm a disiplinë mësimore, ku ai nuk dallohej.Për të flisnin me admirim të gjithë: arsimtarët e mësimit klasor – të mëparshmit, si dhe ata të mësimit lëndor – të mëvonshmit.
Suksesi i Agimit ishte i jashtëzakonshëm, si në lëmenjtë e shkencave shoqërore, ashtu edhe në lëmenjtë e shkencave matematikore e të natyrës. Kishte prirje të ndryshme.
Merrej me vizatim e pikturë e i binte edhe veglave muzikore si çiftelië dhe mandolinës etj. Vetë familja merrej me artizanate, ndreçjen e veglave muzikore, si çiftelisë etj.
Që në klasat e ulta të fillores, Agimi kishte filluar të merrej edhe me shkrime, e punë e krijimtarisë e kishte vazhduar me sukses në moshën e pjekurisë. Krijimet e para poetike premtoni poetin e mirëfilltë të ardhshëm.
Në orët e mësimit të gjuhës shqipe dhe të letërsisë, Agimin e kisha si një asistent timin. Meqë lexonte me pasion dhe vazhdimisht vepra letrare, edhe suksesi në lëndën Gjuhë shqipe dhe letërsi ishte ndoshta më i mirë se diku tjetër. Ishte i paarritshëm dhe nuk mund t’ i gjeje shok.
Në të njëjtën klasë, përkatësisht në të njëjtën paralele, ishte edhe Shukrija, bashkudhëtarja e mëvonshme e jetës dhe e idealeve të Agimit. Ajo po e ndiqte në hap suksesin e Agimit. Të gjithë arsimtarët kishin rënë në hall sa herë duhej vlerësuar me notë dituria e Agimit.
Edhe ditari i klasës kishte rënë në provim. Nota pesë nuk mjaftonte për të vlerësuar diturinë dhe dijen e Agimit.. E, notë tjetër më të lartë se pesëshja nuk kishte! Se Agimi ishte më i pjekur për moshën që kishte.
Agimi po ecte para kohës dhe koha s’po mund ta përcillte hapin e tij! Gjatë punës në shkollë, po edhe jashtë saj, po vëreja virtytet dhe cilësitë e Agimit. Kishte sjellje korrekte si ndaj arsimtarëve, ashtu edhe ndaj shokëve e nxënësve të tjerë të shkollës. I respektonte dhe i nderonte të vjetrit.
Ishte i sinqertë dhe i drejtë e e urrente të padrejtën. Ishte hokatar dhe me prirje humori, po dhe serioz, kur kërkohej serioziteti.
Ndante dhembjen dhe vuajtjen e hallet me të tjerët. Sa i përket aktiviteteve të lira në shkollë,edhe këtu Agimit s’ mund t’ia gjeje shokun. Në orët letrare të Grupit Letrar “Migjeni”, si në shkollën fillore, ashtu edhe në atë të mesme, dalloheshin punimet e Agimit, të cilat botoheshin në Gazetën e murit. Duhet të përmendet se punimet e disa prej anëtarëve të Grupit Letrar qenë botuar në “Gazeta e pionerëve” që botohej atë kohë në Prishtinë. Aty u botua edhe një poezi e Agimit.
Agimi dallohej me sukses edhe në Grupin e dramës dhe në atë të recituesve. Një rol me sukses e pat interpretuar atë të Danit. Ishte ky personazhi kryesor i pjesës njëaktëshe teatrale për fëmijë “Pajtimi”, të poetit të ndjerë Ymer Elshani (i cili u vra bashkë me familje nga serbosllavët në luftën e fundit në Kosovë). Grupi i Dramës i Shkollës fillore të fshatit, me këtë pjesë teatrore mori pjesë në garat e shkollave fillore të Komunës.
Po ashtu Agimi ishte i suksesshëm në rolin e recituesit në poemën “Liri nuk të kemi njohtë” të Esad Mekulit. Agimi kohën e lirë e lirë e kalonte në bibliotekën e shkollës dhe në atë të fshatit. Lexonte shumë dhe me pasion. Kishte orar të përpiktë të punës. Nuk e pengonin as obligimet familjare dhe punët në shtëpi. Ndihmonte prindët në punët bujqësore. Edhe kur kujdesej për kullotjen e bagëtive, librin e mbante gjithnjë me vete.
Hobi e kishte peshkimin qysh si i vogël dhe gjuetinë që ishte në traditën e familjes. E donte natyrën. I donte shpendët, kafshët. Mbi të gjitha e donte njeriun. Për njeriun ndarjet janë pjesët më dhimbshme. Janë më pak të dhembshme kur pritet ritakimi.
Kështu ndonjë takim me Agimin ishte kur vinte për pushim si kadet i Akademisë Ushtarake të Zagrebit. Sepse jeta na dhuroi kahje të ndryshme, po secili në profesionin e vet: unë në atë të arsimtarit e Agimi në atë të ushtarakut.
Agimi – larg vendlindjes e unë – në vendlindje. Rënia e tij në altarin e Lirisë së Atdheut e bëri të pavdekshëm. Ai u shndërrua në Feniks dhe e gjejmë kudo!

