Rrëfimi im: Çka pashë, çka mësuam dhe si u menaxhua pandemia në Kosovë?

Po bëhen 10 muaj nga paraqitja e rastit të parë të infektuar me Covid-19, i cili njihet edhe si rasti zero në Kosovë.

Shkruan: Dr. Adnan Biqkaj – neurolog

Muajt e parë kaluan pothuajse në mbyllje të plotë, ku çdo segment i jetës ishte i paralizuar dhe kjo po mendohej si mënyra më e mirë për të parandaluar përhapjen e virusit, duke shpresuar njëkohësisht se virusi do të zhduket vetvetiu ose do te dobësohet.

Informata të ndryshme dhe shpesh kontradiktore qarkulluan nga ajo kohë, duke filluar nga kreu i OBSh-së, personalitete të ndryshme të fushave të ndryshme të mjekësisë, politikes, biznesit etj., të cilat pastaj prodhuan edhe teori të ndryshme konspirative për origjinën dhe ekzistencën e virusit.

Kjo qasje e pati efektin e vet negativ në parandalimin dhe zbatimin e masave mbrojtëse për ngadalësimin e përhapjes së virusit me të cilat po tentohej që institucionet shëndetësore të mbroheshin nga mbingarkesa dhe kolapsi, duke u ofruar shërbime të nevojshme të gjithë njerëzve të prekur me këtë virus të cilët kishin nevojë të shtriheshin në spital, si dhe ofrimi i shërbimeve edhe për sëmundjet e tjera, sidomos të rasteve urgjente.

Pas kalimit nga mbyllja pothuajse totale në hapje të kontrolluar dhe atëherë kur po mendohej nga shumë njerëz që ne i konsideronim adekuat për trajtimin e pandemive të tilla, se virusi po merr fund akoma pa qarkulluar, për t’u krijuar i ashtuquajturi imuniteti i tufës, për të cilën më së miri e pati thënë zonja Angela Merkel, e si duket te ne nuk e mori seriozisht askush, që ‘pandemia do te kaloje pasi te infektohen 70 milionë gjermanë’.

Vala e parë ose vala e trishtimit

Vala e parë e virusit ose vala e trishtimit po fillonte ngadalë në fillim të muajit korrik dhe për të arritur pikun në fund të muajit korrik dhe fillim të muajit gusht. Për shkak të numrit të madh të rasteve që kërkonin hospitalizim në QKUK, përpos Klinikës Infektive, për trajtimin e pacientëve me Covid-19 aktivizohen edhe Klinika e Pulmologjisë, Klinika e Neurologjisë e më vonë edhe një repart i Klinikës së Gjinekologjisë, sikurse edhe mjekësia sportive për trajtimin e pacientëve që kishin nevojë për frymëmarje të asistuar CIPAP dhe respirator mekanik.

Këto shërbime gjithashtu ofroheshin edhe në MIQ (Mjekimin Intenziv Qendror) dhe Klinikën Infektive. Qendrat e  Covidit, gjithashtu, u aktivizuan edhe Spitalet rajonale të cilat barten një barrë të madhe në menaxhimin e pandemisë, edhe pse në kushte të jashtëzakonshme, me mungesë të personelit adekuat, hapësirave adekuate për kontrollin e infeksioneve, dezinfektimi, mungesën e trajtimit adekuat (ilaçeve anti-virale të cilat veç ishin aprovuar për përdorim në shumë vende të botës), si dhe kapacitetet e pamjaftueshme për pacientët që kishin nevojë për frymëmarrje të asistuar.

E gjithë kjo e kishte vënë një pjesë të personelit shëndetësorë përpara një sfide të madhe dhe të pa provuar më herët. Gjatë kësaj kohe unë kam shërbyer në Qendrën e Covid-it, Klinika e Neurologjisë, e cila është menaxhuar kryesisht nga stafi i Klinikës sonë.

Gjatë kësaj kohe, patëm rastin të shohim për së afërmi gjendje të ndryshme klinike të pacientëve të prekur me Covid-19, ku efektet më të rënda ishin ndezjet e mushkërive, të shkallëve të ndryshme, me përkeqësim të shpejtë, pamjaftueshmëri të mushkërive, nevojën për oksigjen e deri te rastet që kërkonin frymëmarrjen e asistuar CIPAP dhe respiracionin mekanik, problemet me kuagulimin e gjakut dhe prirjet për zhvillim e trombozave, si dhe shpesh prekja edhe e organeve dhe sistemeve të tjera të organizmit.

Kjo valë e virusit solli shumë vuajtje, trishtim si dhe qindra të vdekur nëpër spitale, pa llogaritur rastet e vdekjeve nëpër shtëpi dhe rastet e pa diagnostifikuara, për shkak të numrit të kufizuar të testimeve.

Vala e dytë

Vala e parë e virusit fillon rënien në mesin e muajit gusht deri në mesin e muajit tetor, kur edhe filloi vala e dytë, e cila, në momentin kur po shkruaj, kemi mbi 1300 të vdekur dhe me mijëra pacientë të hospitalizuar gjatë kësaj kohe.

Ajo çka është për t’u habitur deri më tani është se nuk kemi ndonjë statistikë se ku jemi me imunitetin e tufës, sa për qind e popullatës e kanë kaluar virusin, kur kemi parasysh se ka mundur të përdoren mostra të ndryshme për një hulumtim të tillë, teste serologjike janë kryer anekënd Kosovës në laboratorët privatë dhe shtetërorë, si dhe një parashikim nëse ka rrezik për një valë të tretë në një të ardhme të afërt.

Tash për tash, shpresa e vetme për t’i dhënë fund kësaj pandemie është vaksina anti-Covid-19. Duke ju falënderuar shkencës bashkëkohore, ajo arriti të zbulohet në kohë rekorde, duke kaluar të gjitha fazat e hulumtimit klinik edhe aprovimi i saj për përdorim në masë.

Kjo është vaksina Phizer dhe BioEntech me të cilën ka filluar vaksinimi nëpër vende të ndryshme të botës, si dhe në shtetet e rajonit. Vaksina nga kompania amerikane Moderna, gjithashtu, është aprovuar, si dhe priten të aprovohen edhe vaksina të tjera.

Si u menaxhua pandemia?

A është menaxhuar si duhet pandemia në Kosovë, veçanërisht në nivel të institucioneve shëndetësore, duke pasur parasysh se mendoj se në këtë betejë të jashtëzakonshme dhe të pa provuar më parë kam qenë në rrjedha dhe kam përcjellë edhe detaje, kryesisht në QKUK, këtu ka çka të debatohet për atë çka është bërë mirë dhe çka nuk është bërë në këtë sistem të brishtë shëndetësor që e kemi, pra përgjigjja ime është bardhë e zi.

A duhet të merret vaksina?

Duke pasur parasysh se kemi të bëjmë me një virus të rrezikshëm dhe të panjohur, fundi i të cilit ështe i paparashikuar, vaksina është zgjidhja e vetme për të dalë nga kjo situatë.

Për vaksinim përdoren viruset e dobësuar ose pjesë të virusit të cilët nuk mund të shkaktojnë sëmundje, por nxisin sistemin imunitar të organizmit në prodhimin e antitrupave kundër Covid-19, të cilët pastaj do ta mbrojnë organizmin në momentin që vjen në kontakt me virusin, në këtë rast sëmundja do të jetë e lehtë ose nuk do të vërehet fare.

Efektet anësore të raportuara deri më sot janë të ngjashme me vaksinën e gripit sezonal. Unë besoj në vaksinën dhe personalisht do të vaksinohem në momentin që do të jetë në dispozicion për grupet e ndryshme të popullatës, e sipas Ministrisë së Shëndetësisë, dozat e para do të sillen në Kosovë në muajin shkurt./Shkrim enkas për Mediafokus.info/

(Autori është specialist i neurologjisë. Përpos punës në Klinikën e Neurologjisë në QKUK, është edhe asistent në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, “Hasan Prishtina”)