Rreth 2700 mërgimtarë kanë hyrë sot përmes vendkalimit ‘Dheu i Bardhë’

Prej dje kanë vërshuar drejt Kosovës kolona mërgimtarësh përmes rrugëve ajrore e tokësore. Ata kanë thënë se në kufirin hungarez kanë pritur gjatë, madje deri në 10 orë, raporton Mediafokus.info

Nga Zvicra dhe Gjermania kanë ateruar në aeroportin e Prishtinës 41 aeroplanë me mërgimtarë.

Në pikën kufitare ‘Dheu i Bardhë’, që është njëra nga portat hyrëse-dalëse me Serbinë, sot gjatë ditës kanë hyrë 2676 mërgimtarë.

Ekipet mjekësore kanë bërë matjen e temperaturës së secilit mërgimtar që ka ardhur nga jashtë dhe varësisht prej vendit të udhëtimit, 538 prej tyre janë udhëzuar në vetizolim.

Raportohet se kolona të gjata janë rrugës drejt Kosovës. Duket se shumica e mërgimtarëve kanë vendosur t`i kalojnë festat e fundvitit në vendlindje.

Kufizimi i lëvizjes, shkaku i koronavirusit, ka bërë që malli i mërgimtarëve për familjet e tyre në Kosovë të rritet edhe më shumë se zakonisht./Mediafokus.info