Rreth 400 mësimdhënës me probleme shëndetësore punojnë në arsim

Për mirëqenien e mësimdhënësve me probleme shëndetësore, është kërkuar në vazhdimësi nga Sindikata e Arsimit që të mbështeten, e herë pas here të lirohen edhe nga detyra.

Shumë mësimdhënës, të cilët kanë probleme shëndetësore, janë shprehur se kanë nevojë të mbështeten financiarisht, pasi trajtimi i tyre kushton shumë.

Ata nuk pranuan të flasin për arsye të tyre personale, por jashtë mikrofonit të Radios, treguan se e patën mirëpritur vendimin e Ministrisë vitin e kaluar për mbështetjen, i cili ua ka lehtësuar mbulimin e problemeve.

Ndërkohë, Sindikata e Arsimit, e cila mbron të drejtat e mësimdhënësve, në vazhdimësi ka kërkuar që të lehtësohet puna për këtë kategori.

Kryetari i Sindikatës, Rrahman Jasharaj, tha për Radio Kosovën se këta mësimdhënës duhet të lirohen nga detyra, të marrin pagën, e të merren me sëmundjen e tyre.

Sipas të dhënave nga DKA-të, numri i mësimdhënësve me probleme shëndetësore mund të jenë rreth 400.

Ministria e Arsimit nuk ka kthyer përgjigje për Radio Kosovën, nëse do të vazhdojë mbështetjen për mësimdhënësit me probleme shëndetësore.

Vitin e kaluar pati ndarë grantin prej 1 milion e 700 mijë eurosh, ndërsa pat premtuar se do të punojnë në infrastrukturën ligjore, që secili mësimdhënës ta kryejë punën e vet pa shqetësimet që ia sjell shëndeti.