Rritet në 27 numri i të vdekurve nga përmbytjet në Turqi
Numri i qytetarëve që humbën jetën nga përmbytjet në Kastamonu, Sinop dhe Bartın, provincat bregdetare të Detit të Zi, të përfshira nga vërshimet, ka shkuar në 27 deri tani.
Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave dhe Fatkeqësive e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Turqisë (AFAD) njoftoi se 25 persona në Kastamonu dhe 2 të tjerë në Sinop, kanë humbur jetën për shkak të përmbytjeve, që ndodhën si pasojë e shirave të rrëmbyeshëm.
Sipas komunikatës së AFAD, menjëherë pas katastrofës të gjitha institucionet përkatëse filluan punën e evakuimit, kërkimit dhe shpëtimit me mbështetjen e personelit dhe automjeteve, raportojnë mediat turke.
Presidenti Erdogan shkroi në Twitter një mesazh ngushëllimi për qytetarët që humbën jetën në fatkeqësinë e përmbytjeve në Kastamonu, Sinop dhe Bartın dhe specifikoi se ata janë në koordinim me të gjitha institucionet dhe organizatat në zonat e prekura nga fatkeqësia natyrore.


 
 
						 
						