Rrugëtimi i vështirë deri te liria

BESA BEQIRI – HYSENI

(Nga ditari i luftës)

Ishte 28 marsi 1999-ës, katër ditë pasi kishin filluar bombardimet e NATO-s, e dora makabre serbe vazhdonte gjithandej të digjte flakë Kosovën, vriste e masakronte shqiptarë çdo ditë e natë, që nga pleqtë deri te fëmijët që dritën e kësaj bote ende nuk e kishin parë.

Popullata shqiptare në qytetin tonë kishte filluar të largohej në drejtime të ndryshme për të shpëtuar jetën.

Ndërsa, babai si kryefamiljar nuk dëshironte të dilnim jashtë kufijve të vendit tonë, mori vendim që familja jonë të udhëtonte për në vendlindjen e atij, që çdo gjë që ndodhë të jemi të bashkuar me fisin.

Rruga na dukej e gjatë, ajo rrugë trishtimi. Më në fund arritëm në fshatin Vërbicë, ku u mirëpritem nga të gjithë dhe u vendosëm te kushëriri më i afërt Shaban Beqiri (komandant i UÇK-së) por edhe te fshatarët tjerë kishte të strehuar.

Ata bënë gjithçka që ne të ndihemi si në shtëpinë tonë dhe mos t’na mungojë asgjë.

Gjatë qëndrimit aty unë gjeja vetën duke shfletuar hartimet e mia të shkollës, të cilat i kisha marrë me vete, e së bashku me ato dominonte etja për lirinë.

Ditët kalonin pa ditur se çfarë do të na sjell e nesërmja. Por, vendasit aty shpresonin se fshati dhe fshatrat përreth do të mund të mbrohen nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës që ishte themeluar në atë zonë, e që dita-ditës po rritej numri që po i bashkëngjiteshin, me shpresën se do të furnizoheshin më shumë me armatim.

Pas stërvitjes së djemve filloi edhe stërvitja e vajzave të lagjes Alibabë nga Rexhep Sejdiu, më ato pak armë që kishin, ku edhe unë arrita të jem në mesin e tyre edhe pse shumë e re në moshë.

Më 14 prill, në konakun e tij na ftoi kushëriri më i vjetër i lagjes, Ramiz Beqiri. Në mbrëmje babai shkoi në rojën që bënin çdo natë meshkujt e lagjes, nën urdhrat e Shaban Beqirit.

Por, agimi atë ditë të 15 prillit 1999 erdhi i paharruar në jetën tonë dhe njerëzve të Karadakut.

Derisa të gjithë ishim duke fjetur, e ndoshta edhe duke ëndërruar se kur do te merr fund ai ankth, rojët e natës ishin shpërndarë nëpër shtëpi për të lajmëruar që të largoheshim, sepse paramilitaret serbë kishin mësyrë shtëpitë.

U larguam me gjithë të tjerët, të cilët morën edhe ushqime çka mundën me vete.

Disi ndiheshim të sigurt pasi UÇK-ja kishte zënë pozicionet.

Po si t’i bënin ballë gjithë atij armatimi të rëndë.

Fshati digjej, shkatërrohej gjithçka, krismat dëgjoheshin nga të gjitha anët, e ne rrinim në mal, jo shumë larg nga lufta e madhe që zhvillohej.

Ra edhe dëshmori i parë, Enver Pacolli te Ara e Kërrpnajave. Ndërsa Xhemajli i cili kishte qenë me të dhe kishte parë që ushtria serbe ishte nisur në drejtimin tonë, vraponte drejt nesh i tmerruar për t’na treguar.

Të shtënat filluan pa ndërprerë. Babai duke ditur që terreni ishte i panjohur për familjen tonë, ndërsa ai njihte mirë çdo cep të asaj ane, erdhi rrufeshëm, e kapi vëllaun për krahu dhe na tha që t’i ndiqnim ata.

E gjithë turma vazhdoi pas tij, pa pasur kohë për të marrë asgjë me vete, pos fëmijëve më të vegjël.

Unë mora për dore motrën e vogël dhe vajzën e Shaban Beqirit të cilat nuk i lëshova asnjë moment, kurse nëna ishte me motrën tjetër.

Ndërsa UÇK-ja në pritat e zëna mundohej të qëndronte pa iu trembur vdekjes as tankeve, ku bie edhe dëshmori tjetër, Sherif Sherifi në vendin e quajtur Lugu i Mrizit.

Duke ecur përroit kemi arritur në hyrje të Zhegovcit të Poshtëm. Te kroi një vëzhgues shqiptar i zonës na ka orientuar t’i bashkëngjitemi popullatës së Zhegovcit ku janë zhvendosur, meqë ishin lajmëruar me kohë për atë që kishte filluar të ndodhte.

Era tym e barut u shpërnda nga të gjitha anët, të shtënat vinin këmba-këmbës sonë.

Mbaj mend një zë plotë dhimbje u dëgjua ‘‘e kanë zënë Albanin, e kanë zënë Albanin’’.

Me lese filluan t’i sjellin dhe merrnin me vete të plagosurit duke iu dhënë ndihmë pjesëtarët e UÇK-së, si infermieri ushtar, kushëriri Sabedin Sherifi dhe këtë gjë ndihmonin dhe fshataret e tjerë.

Aty kuptuam që njëri nga të plagosurit ishte burri i vajzës së hallës, Fadil Rashiti.

Duke e parë që gjendja sa vinte dhe rëndohej në fushën e betejës, ecëm deri në fshatin e tretë, Plitkoviq ku filloi të bie muzgu.

Njerëzit u ndanë në tri grupe: në xhami, në shkollë dhe nëpër shtëpi, ku gratë tërë natën kishin gatuar bukë.

Në Xhami ku ishim ne nuk guxonin me ndez dritë se ashtu kishte ardhur urdhri nga UÇK-ja.

Fëmija qanin nga uria, nënat mundoheshin t’i qetësonin. Gjumi nuk na zinte nga frikësimi, ndërkohë si e re që isha, për t’u qetësuar sadopak imagjinoja se në mëngjes mund ta shihnim xhaminë si dukej në të cilën hymë pa parë asgjë.

Por ushtria jonë na largoi pa zbardhur dita për në Vrellë.

Duke ec takonim grupe njerëzish që kishin lëshuar fshatrat dhe kuptuam që edhe Sllovia ishte në të njëjtën gjendje ku e kishin vrarë edhe burrin e hallës A. Gashi.

U bëmë kolonë shumë e madhe. Arritëm në fshatin Gadime. Aty kolona u drejtua për në Shqipëri, shumë u ndanë nga kolona dhe vendosën fatin për familjen e tyre, disa shkuan për të luftuar, ndërsa babai e pa të arsyeshme të na kthente në shtëpi.

Të vetëm si familje u nisëm për në Ferizaj me frikën që mund të binim në pritë. Në heshtje luteshim për jetën tonë, fisit dhe gjithë popullit. Para mbrëmjes arritëm.

Megjithëkëtë dhe peripecive të tjera që përjetuam, erdhi dita e çlirimit.

Rruga për këtë ditë ishte e gjatë dhe e mundimshme, me rreziqe të paparashikueshme, humbje të jetërave të pafajshme dhe gjak të derdhur të dëshmorëve.

Duke parë gjithë këtë dramë tragjike të popullit tonë, për ruajtjen e tokave stërgjyshore dhe të identitetit kombëtar, unë si e re studiova Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, për të kontribuuar sadopak për vendin tim në edukimin e arsimimin e brezave të rinj, në Kosovën e lirë.

Andaj, sakrifica, flijimi i atyre që në luftë ranë, do të jehojë e ushtojë ndër shekuj, duke u treguar gjeneratave që vijnë çmimin e lartë që pagoi Kosova për lirinë që e gëzojmë sot.

Lavdi përjetë e mot gjithë atyre që u flijuan për të ardhmen tonë!

………………..

(Autorja është Master i mësimdhënies në Gjuhë dhe Letërsi Shqipe)