Rrugëtimi misterioz i një të riu nga Gjilani për fatin e të cilit nuk dihet prej 27 vitesh

Afrim Latifi nga Gjilani, në tetor të vitit 1995 ishte nisur për Itali, shkaku i kushteve të rënda jetësore, por se çka ndodhi me të nuk u mor vesh asnjëherë, shkruan gazeta online Mediafokus.info

Që nga ajo kohë, kaluan shumë vite. Nënë Dinorja nuk ia ndau kurrë sytë derës së oborrit, me shpresë se një ditë do të hynte andej i biri, derisa edhe e vetë doli nga ajo portë për të fundit herë.

Mundësia e zhdukjes së këtij të riu nga Gjilani, bashkë me shokun e tij Agim Gagica, rrëfehet në disa versione, por mungon versioni zyrtar.

Ishte thënë se dy të rinjtë nga Gjilani, të cilët më 25 tetor 1995 ishin nisur për Shqipëri, ishin shpëtuar nga dallgët e detit nga një anije britanike, por kjo nuk është konfirmuar asnjëherë zyrtarisht.

Afrimi kishte provuar edhe herë të tjera për të dalë jashtë. Herën e parë, me pasaportë jugosllave, ishte kapur në Hungari. Policia serbe ia kishte marrë pasaportën, për të mos ia kthyer më.

Jeta e vështirë, e detyron atë që të provojë rrugë të tjera, kësaj here përmes Shqipërisë.

Herën e fundit ishte lajmëruar nga Fieri, duke treguar se si dy–tri herë kishin tentuar të dilnin në Itali, por nuk kishin pasur sukses.

Kishte thënë se do ta provonin edhe njëherë dhe nëse nuk arrinin, do të kthehej në shtëpi.

Në një ditë vjeshte të vonë, në nëntor 1995, e kishte lajmëruar familjen se nëpërmjet detit do të niseshin për në Itali.

Ishte koha kur në Shqipëri nuk pushonin lajmet për përmbytjet e motoskafëve e gomoneve që tentonin të kalon Adriatikun, për të mbërri në Itali.

Një i tillë ishte përmbytur në afërsi të Brindizit. Në mesin e atyre që kishin pësuar në atë tragjedi, nuk figuronin emrat e Afrim Latifit e Agim Gagicës.

Në familjen e Afrimit, është shtuar brenga për fatin e tij. Mungesa e së vërtetës, është dhembja më e madhe.

Që nga ajo kohë, ka vetëm një fotokopje të një artikulli gazete, me titull “Skafi i Semanit ankorohet në brigjet britanike”, botuar në “Koha Jonë”, ku ndër të tjera thuhet se Afrim Latifi e Agim Gagica kishin luftuar me dallgët e detit dhe një anije britanike i kishte shpëtuar në momentin më kritik.

Familjarët u gëzuan kur e lexuan këtë artikull, por s`i të besojnë se ishte i vërtetë, kur zëri i Afrimit nuk u dëgjua kurrë.

Tani në familjen e tij në Gjilan ka ngelur vetëm fotografia e Afrimit, që rri e varur në mur dhe heshtja e dilemat që mbështjellin këtë mister që nuk po zbardhet prej njëzet e shtatë vitesh.

Që nga 25 nëntori i vitit 1995, kanë kaluar shumë vite të ankthit e pritjes, të shpresës e zhgënjimit.

Afrimi nuk po kthehet ende. Pritja vazhdon. Vëllait të tij, Agimit, gjithkah i shkonte mendja, derisa ishte gjallë. Kjo pritje e kishte rënduar shëndetin e tij.

Dilemat nëse Afrimi kishte arritur të dilte në Itali, nëse e kishte shpëtuar anija britanike, në momentin e fundit nga deti i trazuar, apo mos ndoshta kishte përfunduar në Serbi, ndoshta…..e mundonin përherë.

Edhe tani që nëna dhe vëllai i Afrimit kanë ikur nga kjo botë, familja Sahiti (vetëm Afrimi e kishte mbiemrin Latifi në këtë familje) shpreson te kthimi i pritur kaq gjatë.

Në shtëpinë e tyre në Gjilan, ndërkohë kanë ardhur në jetë nipa e mbesa, por ata nuk e njohin xhaxhin e tyre.

Për të kanë dëgjuar vetëm nga rrëfimet e gjyshe Dinores, deri sa ishte gjallë dhe familjarët e tjerë.

Një ditë, mbase Afrimi edhe mund të vijë dhe t`i jap fund misterit që po zgjat prej vitesh.

Ndoshta….shpresa nuk vdes kurrë. /Mediafokus.info