Ruajtja e barnave në shtëpi – një përgjegjësi për shëndetin e familjes

Sabedin Sherifi

Barnat janë pjesë e përditshmërisë në çdo familje – qoftë për trajtime afatshkurtra, apo për terapi të zgjatura.

Megjithatë, shumë njerëz nuk i kushtojnë vëmendjen e duhur mënyrës së ruajtjes së tyre në shtëpi, çka mund të ndikojë në efektivitetin dhe sigurinë e përdorimit të tyre.

Këshilla të rëndësishme për ruajtje të sigurt të barnave:

1. Temperatura dhe vendndodhja

Barnat duhet të ruhen në një vend të thatë, të freskët dhe të mbrojtur nga rrezet e diellit.

Banjoja dhe kuzhina nuk janë të përshtatshme për shkak të lagështisë dhe ndryshimeve të temperaturës.

2. Mbajtja larg fëmijëve

Barnat duhet të ruhen gjithmonë jashtë mundësive të fëmijëve për t’i arritur. Përdorni dollapë me kyç nëse është e nevojshme.

3. Mos përdorni barna me afat të kaluar

Kontrolloni rregullisht datën e skadencës. Barnat e skaduara mund të jenë joefektive apo të dëmshme.

4. Ruajtja e barnave të veçanta

Disa barna kërkojnë ruajtje në frigorifer (si insulina apo disa antibiotikë). Kontrolloni gjithmonë udhëzimet në fletë-udhëzimin ose etiketën.

5. Mos i hidhni barnat në mbeturina apo WC.

Barnat e panevojshme duhet kthyer në farmaci për asgjësim të sigurt.

Ruajtja e saktë e barnave në shtëpi është pjesë e kujdesit ndaj vetes dhe familjes. Një pakujdesi e vogël mund të sjellë pasoja serioze.