Rundi i dytë i zgjedhjeve, çfarë thotë Ligji për Zgjedhjet Lokale
Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), 21 komuna të Kosovës do të duhet të zhvillojnë rundin e dytë të zgjedhjeve, për ta kuptuar emrin e kryetarit.
Zgjedhjet lokale në Kosovë janë mbajtur më 17 tetor dhe 17 komuna kanë zgjedhur kryetarët e tyre për mandatin e radhës, në rundin e parë.
Sipas Ligjit për Zgjedhjet Lokale, nëse asnjëri nga kandidatët nuk fiton më shumë se 50 për qind të votave, plus një votë të numrit të përgjithshëm të votave të vlefshme, atëherë KQZ-ja duhet të organizojë rundin e dytë mes dy kandidatëve që kanë fituar më së shumti vota.
Kandidati i cili fiton shumicën e votave në rrethin e dytë zgjidhet Kryetar i Komunës.
Sipas këtij Ligji, rundi i dytë i zgjedhjeve mbahet katër javë pas mbajtjes së rundit të parë.
Kësisoj, i bie që data e rundit të dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë të jetë 14 nëntori.


 
 
						 
						