Sa është afati për pagesën e një gjobe në trafik nëse njoftimin e keni marrë përmes postës?
Policia në Kosovë ka filluar ta praktikojë dërgimin përmes postës së gjobave në trafik, kur kundërvajtja regjistrohet nga kamerat ose radarët statikë.
Policia në Gjilan ka sqaruar kundërvajtësit të cilëve u janë dërguar gjoba përmes shërbimit postar se nëse e kryejnë pagesën brenda afatit prej 15 ditësh nga data e pranimit të njoftimit, përfitojnë nga e drejta për të paguar vetëm 50% të shumës përkatëse.
Afati për pagesë fillon nga dita e pranimit të njoftimit për gjobë nga posta.
Në rast të paraqitjes së ndonjë pengese apo paqartësie lidhur me afatin apo procedurën e pagesës, pala mund të paraqitet në stacionin policor apo në njësitin kompetent që ka shqiptuar gjobën, me qëllim të verifikimit dhe përditësimit të të dhënave në sistem.
Gjithashtu, çdo kundërvajtës të cilit i është shqiptuar gjobë në trafik, gëzon të drejtën ligjore për paraqitjen e ankesës, thuhet në njoftim.

