Sa kohë mund të mbijetojnë njerëzit në rrënojat e tërmetit?

Ekipet e shpëtimit po vazhdojnë të punojnë për gjetjen e të mbijetuarve pas tërmeteve që shkatërruan pjesë të Turqisë dhe Sirisë më 7 shkurt.

Disa njerëz ende po nxirren të gjallë nga rrënojat gjatë një jave që nga tërmeti, i cili deri më tani ka vrarë më shumë se 35,000 njerëz.

Por, derisa ekipet e kërkimit nga më shumë se dy duzina vendesh po vazhdojnë të kërkojnë për të mbijetuar të mundshëm, janë ngritur pyetje rreth asaj se sa gjatë mund të mbijetojnë njerëzit në rrënoja.

Siç shkruan Euronews, përcjell Telegrafi, ekspertët thonë se deri në një javë ose më shumë, megjithëse kjo varet nga lëndimet e tyre, mënyra se si janë bllokuar dhe kushtet e motit.

Mosha, gjendja fizike dhe mendore janë të gjitha kritike – gjithashtu.

“Ju shihni shumë skenarë të ndryshëm ku ne kemi pasur disa shpëtime vërtet të mrekullueshme dhe njerëzit kanë mbijetuar në kushte të tmerrshme”, thotë Dr. Christopher Colwell, një specialist i mjekësisë urgjente në Universitetin e Kalifornisë në San Francisko.

“Ata priren të jenë njerëz më të rinj dhe kanë pasur fatin të gjejnë ose një zbrazëtirë në rrënoja ose ndonjë mënyrë për të marrë elementët e nevojshëm si ajri dhe uji”, shtoi ai.

Njerëzit me lëndime traumatike, duke përfshirë shtypjet dhe amputimet e gjymtyrëve, përballen me gjendjen më kritike të mbijetesës, ka thënë Dr. George Chiampas, një specialist i mjekësisë urgjente në shkollën mjekësore Feinberg të Universitetit Northwestern.

Gjendja mendore gjithashtu mund të ndikojë në mbijetesën e tyre.

Chiampas vëren se njerëzit e bllokuar pranë trupave të vdekur, të cilët nuk kanë kontakt me të mbijetuarit e tjerë ose shpëtuesit, mund të heqin dorë nga shpresa.

“Shpresa që dikush do të arrijë tek ju, mendoj se mund t’ju japë edhe një, dy ose tre ditë të tjera jetë”, vlerëson ai.

Shpëtime të mrekullueshme

Megjithatë, mes temperaturave të ulëta, dhjetëra mijëra personel vendas dhe të huaj të emergjencës vazhdojnë të kërkojnë viktimat nga tërmetet.

Por kushtet e dimrit në Siri dhe Turqi kanë penguar përpjekjet e shpëtimit.

“Nëse krejt papritur fillon të bie shi, ai shi përveç motit të ftohtë mund ta përshpejtojë hipoterminë dhe gjithashtu mund të çojë në një vdekje të përshpejtuar”, mendon Chiampas.

Shumica e shpëtimeve ndodhin në 24 orët e para pas një fatkeqësie. Pas kësaj, shanset e mbijetesës bien me kalimin e çdo dite, thuhet në shkrimin e Euronews, përcjell Telegrafi.

Ekspertët thonë se duke pasur parasysh temperaturat që kanë rënë në -6 gradë Celsius dhe shembjen totale të kaq shumë ndërtesave, “dritarja për shpëtimin tani është pothuajse e mbyllur”.

Në të ftohtë, trupi dridhet për t’u ngrohur – por kjo djeg shumë kalori, që do të thotë se njerëzit e privuar nga ushqimi do të vdesin më shpejt, ka paralajmëruar Dr. Stephanie Lareau, një profesoreshë e mjekësisë urgjente në Virginia Tech.

Megjithatë, Chiampas thotë se ai “kurrë nuk do të dekurajojë askënd që të ketë shpresë”.

Të hënën, një grua u gjet e gjallë nga mbeturinat në Antakya, tregoi një video e shpërndarë në internet nga kryebashkiaku i Stambollit.

Punëtorët duartrokitën ndërsa ajo u fut në një ambulancë.

Transmetuesi Haberturk raportoi se një tjetër grua dhe dy fëmijë u shpëtuan në Antakya dhe CNN Turk raportoi një grua të nxjerrë nga rrënojat në provincën jugore Gaziantep.

Ndërkohë, në Siri, autoritetet thanë se një i porsalindur, nëna e të cilit lindi ndërsa ishte i bllokuar nën rrënojat e shtëpisë së tyre, ishte mirë.

Foshnja, Aya, u gjet disa orë pas tërmetit, ende e lidhur me kordonin e kërthizës me nënën e saj, e cila kishte vdekur. Tashmë ajo po ushqehet me gji nga bashkëshortja e drejtorit të spitalit ku po kurohet.