Sadri Ramabaja dhe Teuta e dytë e Dardanisë

Shkruan: Dr Elez Elezi

Para disa ditësh, duke e shikuar emisionin Debat Plus te Ermal Panduri, e dëgjova mikun tim Sadri Ramabaja duke thënë: “U zgjodh Teuta e dytë e Dardanisë”.

Kur e tha këtë fjali, Sadriu u ngrit nga karrigia. Nuk e di pse, por ajo pamje më preku shumë.

Menjëherë m’u kujtua një skenë nga filmi “Dy krisma në Paris”, të cilin e kisha parë shumë vite më parë.

Në atë film, Avni Rustemi ishte në bankën e të akuzuarve, përballë gjykatësve francezë. Në sallë hyn Xhafo Idrizi, me plis te bardh në koke dhe i drejtohet Avniut: „Avni, o vëlla… e çliruam Vlorën…“

Pastaj i flet për familjen dhe për dashurinë që populli shqiptar kishte për të.

Fjalët e tij e ndryshojnë atmosferën në sallën e gjyqit dhe aty krijohet një ndjenjë e fortë patriotike.

Nuk më kujtohen saktë të gjitha fjalët që thuhen në atë skenë, sepse ka kaluar shumë kohë prej kur e kam parë filmin.

Por pamja e Xhafo Idrizit dhe mënyra se si i drejtohet Avniut më kanë mbetur në mendje.

Kur e pashë Sadriun të ngrihej në këmbë dhe ta thoshte atë fjali, m’u kujtua menjëherë ajo skenë.

Ndoshta dikujt tjetër nuk do t’i kishte bërë aq përshtypje, por mua më ndodhi pikërisht kështu.

Për Sadriun kisha dëgjuar shumë kohë përpara se ta njihja më nga afër. E dija se kishte qenë i përndjekur dhe i burgosur politik për vite me radhë.

Ishte një kohë kur njerëzit që kundërshtonin regjimin paguanin shtrenjtë për qëndrimin e tyre.

Më vonë pata rastin ta njihja Sadriun dhe të bisedoja me të. Me kalimin e kohës, e kuptova më mirë edhe mënyrën se si ai i sheh zhvillimet politike dhe historinë tonë.

Për mua, Sadriu është vetë historia, ose një pjesë e historisë së kësaj treve. E them këtë sepse ai nuk e ka njohur atë kohë vetëm nga librat.

E ka përjetuar vetë, me të gjitha vështirësitë që ka sjellë. Prandaj, kur flet për të kaluarën ose i lidh ngjarjet e sotme me historinë tonë, unë e kuptoj pse e bën këtë.

Edhe kur e quajti presidenten e zgjedhur „Teuta e dytë e Dardanisë“, Sadriu zgjodhi një figurë të njohur të historisë sonë.

Teuta është një nga figurat më të njohura femërore të historisë ilire. Me këtë krahasim, ai deshi ta shprehte mendimin e vet për zgjedhjen e presidentes së Kosovës.

Mendoj se Sadriu e ka përjetuar zgjedhjen e presidentes Justina Shiroka-Pula si çlirim të llojit të vet për Kosovën, meqë në një kohë flitej për mundësinë e rreshqitjes në kaos.

E këtë ai e ka ndje edhe më fortë, duke pasur parasysh përvojat që ka kaluar dhe rëndësinë që kanë për të stabiliteti institucional dhe e ardhmja e Kosovës.

Në bisedat tona, Sadriu ka folur edhe për rëndësinë e institucioneve dhe për përgjegjësinë e atyre që i udhëheqin.

Sipas tij, presidentja duhet të ndihmojë në ruajtjen e stabilitetit dhe në funksionimin e institucioneve të vendit.

Ai e ka parë zgjedhjen e saj edhe nga këndvështrimi i përfaqësimit të Kosovës në botë.

Duke folur për një presidente të besimit katolik, Sadriu e lidhi këtë me përpjekjet e Serbisë për ta paraqitur Kosovën si shtet fundamentalist mysliman.

Shprehja e tij se kjo zgjedhje do të ishte „një grusht hundëve për Serbinë“ ishte mënyra e drejtpërdrejtë me të cilën ai e shprehu mendimin e vet.

Nuk po shkruaj këtu për të analizuar zgjedhjen e presidentes apo për të marrë pjesë në debatin politik rreth saj.

Më shtyu të shkruaj ajo që përjetova kur e pashë Sadriun në televizion.

Një fjali dhe një gjest më kthyen te një film i vjetër, te një skenë që më kishte lënë mbresa dhe që nuk e kisha menduar prej kohësh.

Duke e njohur Sadriun dhe duke e ditur nëpër çfarë ka kaluar, për mua nuk është e çuditshme që ai i lidh zhvillimet e sotme me historinë tonë.

Kështu e njoh unë mikun tim.

Desha ta ndaj këtë përshtypje me lexuesit e Media Fokus, sepse ajo fjali më mbeti në mendje edhe pasi përfundoi emisioni.

Ndoshta Sadriu nuk e kishte menduar se dikujt do t’i kujtonte një skenë filmi, por mua më ndodhi pikërisht kjo.

Dhe, duke e shkruar këtë tekst, m’u kujtua edhe një herë ajo skenë me Xhafo Idrizin dhe Avni Rustemin.

Kaq ishte arsyeja pse vendosa t’i shkruaj këta rreshta për Sadriun, mikun tim, dhe për fjalinë që më ktheu shumë vite prapa.