Sanije Maloku, një jetë pa duar
Sanije Maloku nga Gjilani i ka humbur të dy krahët në moshën 9-vjeçe, në një aksident trafiku, më 27 gusht 1975, ku vdiçën katër persona tjerë.
Shpëtimin në këtë fatkeqësi të shumëfishtë, nuk e konsideron fat, por një dënim që po e vuan tash e 50 vjet.
“Jeta pa duar nuk është e lehtë, sepse gjithmonë je e varur nga një person tjetër, qoftë për të pirë edhe një gotë ujë. Asgjë nuk mund të bësh vetëm”, thotë Sanija, derisa kujton gjithë këto vite që i ka lënë pas, nga shkollimi, ku u desht të shkruaj me gojë, e deri te puna e spikeres që bën prej 22 vitesh në stacionin e autobusëve në Gjilan.
Thotë se njerëzit përreth nuk e kuptojnë sa duhet gjendjen e saj. Ka frikë se shoqëria jonë po i humb vlerat e humanizimit ndaj personave që kanë nevojë për mbështetje, që kanë nevojë ta kenë dikë afër për t`iu dhënë dorën…që kanë nevojë të kuptohen më shumë.
“Jetës s`i dihet. As unë asokohe s`e kam paramenduar se një të nesërme do të ngelem kështu, pa të ardhme. Ne jemi njerëz dhe, i patëm, ose nuk i patëm duart, të gjithë kemi nevojat tona jetësore”, thotë ajo.
“E kam pasur shumë më lehtë derisa e kisha të punësuar edhe motrën në stacionin e autobusëve, por që kur atë e larguan, tani e kam shumë më vështirë”.
Janë disa gjëra që njeriu mund t`ia kërkoj vetëm një familjari të saj, askujt tjetër, thotë Sanije Maloku, derisa rrëfen jetën.
“Edhe mua më larguan, por falë ndërhyrjes së ndërkombëtarëve, u ktheva përsëri”, thotë ajo.
Nuk kishte besuar kurrë-kurrë se edhe atë mund ta largonin nga puna.
“Jeta ime nuk ka asnjë kuptim, nëse mbetem në shtëpi”, thotë ajo.
Që prej kur ia hoqën motrën, çdo ditë duhet të vijë nëna, ose dikush tjetër nga familja për t`i ndihmuar për nevojat e saj jetësore, në kohën e pauzës, jo për punë, sepse atë e bën vetë, me ndihmën e protezave.
I dhimbset nëna që duhet ta bëjë gjithë atë rrugë, por zgjidhje tjetër nuk ka.
Thotë se drejtoria e stacionit të autobusëve, të cilët i ka në të djathtë dhe të majtë të zyrës së saj të ngushtë, nuk po tregohet mirëkuptuese ndaj saj dhe t`ia kthej motrën në punë, që ta ketë afër dikë.
Shpreson t`i ndihmojë kryetari i Komunës, ku e ka qarë hallin e saj.
“Dua ta kem dikë me të cilën mund ta pijë një gotë ujë, një kafe…sepse edhe unë jam njeri si të tjerët për nga nevojat, por e veçantë për nga mundësitë”.
E kupton se në Kosovë janë një milion njerëz pa punë, por thotë se rasti i saj është një.
“Ndonjëherë, kur nëna nuk mund të vijë te unë në kohën e pauzes, më duhet të shtrëngohem e të duroj tetë orë pa urinuar, deri sa të kthehem në shtëpi”.
Një shoqeje të punës mund t`i kërkoj një gotë ujë, ama nuk mund t`i kërkoj këtë shërbimin tjetër, sepse është tepër, mund edhe ta ngushtoj.
Sanija është një vajzë pa ëndrra. Nuk ka menduar as për martesë, sepse është e vetëdijshme për gjendjen e saj.
Pas punës, më shpesh rri në shtëpi dhe shikon tevelizorin, por ndonjëherë del edhe te fqinjët.
“Jam pajtuar me fatin”, thotë tutje ajo.
Sanija e mban mend si sot ditën kur e përfshiu para vete kamioni, ndonëse kanë kaluar 35 vjet, por nuk dëshiron shumë që ta rikujtoj atë moment.
Ajo nuk e njeh shoferin që shkaktoi askidentin më tragjik që ka ndodhur ndonjëherë në Gjilan.
“E kemi falur”, thotë./ Mediafokus.info
…………………
P.S. Ndalohet kopjimi i shkrimit
