Nëpër fshatra të boshatisura

Udhëpërshkrime nga dr Shevçet Mehmet

Është ditë e diel, mëngjes. Në qytet nuk ka mjegull. Pak komunikacion në rrugën kryesore që të shpie në drejtim të Malishevës. Pasi mbërrijmë te varret e Malishevës së Epërme, nisemi tatëpjetës për Capar, Bukovik.

Tentuam nga ky pozicion të bëjmë disa foto të Malishevës së Ultë, që në kushte normale atmosferike duket si në pëllëmbë të dorës, por kësaj here fshatin e kishte mbuluar mjegulla, që ishte shtritë si një batanije e bardhë prej puplash.

Për foto nuk ishin kushtet.

Rruga për Capar ishte me tatëpjeta dhe plot leqe. Djathtas dhe majtas rrugës së ngushtë prej asfalti, ka mjaft mbeturina të hedhura, ndërsa nëpër degët e pemëve rrinë varur qeska të plastikës. që ngjasojnë me  flamuj në ndeshjet sportive.

Ekologjia kishte përjetuar atak. Oksigjeni ishte reduktuar, ndërsa natyra sikur qante dhe rënkonte nga sjelljet arrogante të njeriut.

Arritëm te lisat e moçëm në Capar, 9 lisat me shtat të gjerë dhe kurora të mëdha.

Këtë vend për herë të parë e kam vizituar në moshën 7-vjeçe, ndërsa pas vitit 1985, shumë herë të tjera. Te lisat janë varret e Caparit. Ne afërsi, dy ulëse për pushim, njëra e thyer pjesërisht.

Ky vend duket edhe nga qyteti.

Fshati ka rrugë të ngushta me asfalt. Në qendër të fshatit, ku ishte parkuar një autobus, djathtas një mur nga gurët sikur po qëndronte gatitu. Shumica e shtëpive janë të vjetra.

Në dalje të fshatit është xhamia e re.

Në mes të Caparit dhe Bukovikut, është shkolla fillore “Nazim Hikmet”. Pranë objektit të vjetër është shkolla e re moderne, me 22 nxënës, me fushë sportive. Gjithë nxënësit janë nga Capari, asnjë nga Bukoviku. Capari ka 42 shtëpi.

Bukovikun e kam vizituar me tepër se 30 herë. Bukoviku si fshat është formuar më 1772 nga pesë vëllezër nga Prusha e Madhe, të fisit Sop, që e kishin blerë nga Dizdari i Gilanit, Ahmet Jahja Zade.

Pas luftës, fshati zbrazej çdo ditë.

Dikur në qendër të fshatit ishte xhamia me minaren e gjerë që kishte perimetrin më të madh nga të gjitha xhamitë në Anamoravë. Kishte një arkitekturë të veçantë, sikur xhamia e vogël në Deremahallë.

Sot Bukoviku është i vetmuar. Shtëpi të braktisura, nuk ndihet asnjë zë fëmije, nuk frymon njeri.   Banorët janë shpërngulur në drejtim të Dobërçanit dhe Gjilanit.

Nga ky fshat është biznesmeni nga Turqia, Aktashi që ka holdingun e vet atje.

Në mes të fshatit, xhamia moderne, afër çezma e punuar nga vëllezërit Zahiri.

Muret që rrethojnë shtëpitë janë të shkatërruara, të mbuluara me thera. Koshat dhe hambarët janë bosh, fëmijë nuk ka, nuk ka as te rritur.

Plepat shtatlartë qëndrojnë gatitu. Dyert janë të mbyllura, shtëpitë memece. Bukoviku thuajse  është një vend për filma horor.

Në të majtë, në fund të rrugës, është një fermë e lopëve.

Gjatë këtij udhëtimi nëpër fshatrat e Gjilanit, takova edhe disa gjuetarë.

Gjithçka tjerët sikur kishte fjetur, ishte shuar dhe nuk dol të zgjohet më. Mungonte vetëm një pllakë përkujtimore, një epitaf që zgjon emocione dhembje.

Dikur Bukoviku kishte emër, sot ka mbetur vetëm emërtimi, ndërsa shpirti ka vdekur. Në regjistrimin e fundit, ky fshat ka pasur 8o banore. Por, tani nuk e ka asnjë më. Këtë realitet të trishtuar e pashë me sytë e mi.

U ktheva në Malishevë të Epërme, te çezma e famshme dikur, e cila sot nuk jeton, nuk ka ujë. Kujtimet janë e vetmja gjë që jetojnë ende.

Tolstoi ka thënë se kujtimet dhe shpresën nuk i kam në shitje, edhe pse trupi i tij, si i vetmuar është varrosur në mes të pyllit./MediaFokus/