Oxhaqet që dikur simbolizonin jetë, sot nuk tymojnë më

(Udhëpërshkrime nga dr Shevqet Mehmet)

Sot kam planifikuar një udhëtim në Karadak, fshatrat Burincë, Lipovicë, Muqibabë. Derisa po bëhesha gati të nisem, seç m`u kujtua një thënie që e kisha dëgjuar si fëmijë: “Shkova në Karadak, me mbledhë molla me pështjellak”.

Po ashtu më ra ndërmend edhe thënia e babës, më 2 tetor 1978, pas diplomimit në fakultetin e mjekësisë në Beograd “ustain e mirë e lypin edhe në Caravajkë”. Në qytet, mes të rinjve përdorej shprehja “dajka e Caravajkës”.

Këto fshatra, për herë të parë i kam vizituar më 1979. Me profin Rifat kemi ecur këmbë në mëhallët e Depcës, ndërsa disa herë të tjera, po ashtu në këmbë, kemi vizituar fshatrat Buhiq, Maxheraj, Ilincë, Ranatoc dhe kemi zbritur në Pogragjë, shkruan mediafokus.info.

Kemi hyrë edhe në shpellën e Ilincës. Njëherë me prof. Rifatin kemi zbritur në këmbë nga Caravajka, nëpër rrjedhën e Llapushnicës, deri te kalaja e Pogragjës, ku kishte mbi 8 mullinj.

Në vitin 2018 dhe 2019, Burincën dhe Lipovicën e kam vizituar tri herë. Atje të qon rruga nga Pasjani, që kthehet në të majtë dhe vazhdon nëpër një kurriz shpati.

Djathtas dhe majtas kishte tufa lulesh levante. Ajri ishte i pastër, poshtë shihej lugina e LLapushnicës, kurse djathtas të kap syrin antenën në Muqibabë.

Në Burincë sot nuk ka banorë të përhershëm. Me kujtohet se i pari nga Burinca në Gjilan ka ardhur Shaip Zymberi me familje (vitet e `60-ta) dhe u vendos me shtëpi te stadiumi i vjetër.

Isaku nga Burinca u martua me Sanijen, vajzën e hallës time.

Pastaj, pas vitit 1969 u mbush me burincali lagja “Çenar Çeshma”. Burinca u zbraz. Numri i shtëpive, në vitin 1948 ka qenë 123, kurse më 1991 ngelën 96. Burinca nuk kishte shkollë, as xhami. Për mësim dhe namaz shkonin në Muqibabë.

Sot Burinca (janar 2020) ka rënë në gjumë dimëror. Gjithandej sheh 3-4 vikend shtëpiza, shumë shtëpi të rrënuara, hambarë të zbrazur, kotece të mbyllura, dritare të hapura, shtëpi të braktisura.

Më tutje sheh një çezmë që punon, afër saj korita e mbushur me ujë, por nuk ka kafshë për ta pirë atë ujë. Në shpat tutje shihet një fermë.

Vizituam çdo shtëpi. Dhoma të boshatisura. Oxhaqet që dikur simbolizonin jetë, sot nuk tymojnë më.

Në afërsi të Burincës, është fshati Lipovicë. Lipovica më 1948 kishte 268 banorë, në vitin 2011 – 24, kurse sot, asnjë shtëpi. Në këtë fshat, dikur kishin jetuar edhe 77 serbë.

Prej serbëve më i njohuri ishte Vojini. Ai ishte i pasur dhe kishte një mulli me dy gurë në Llapushnicë.

Serbët janë shpërngulur në drejtim të Jagodinës dhe Pasjanit, ndërsa popullsia shqiptare – në drejtim të Gjilanit, Preshevës dhe Kumanovës.

Lipovica sot është e pabanuar. Shtëpitë janë rrëzuar, dyert e oborreve janë të hapura krah më krahë. Fshati ka rënë heshtje. Nuk ka dëgjohet asnjë zë.

Hyra në disa prej shtëpive. Karakteristike janë dhomat e ulëta, pa shtrojë, pa dërrasa, me dritare të vogla, Në një qoshe, ishte një magje buke. Magjetorja e vyer, me siguri tani jeton diku tjetër, ose ka vdekur.

Në Lipovicë kanë jetuar LLozanët, Krasniqët, Seferët. Sot atje ka ngelur vetëm natyra e mrekullueshmedhe shtëpitë e rrënuara dhe të braktisura që shfaqen si në skena horori.

Lipovica nuk ka pasur as shkolle, as kishë, as xhami. Serbët, ritet i kanë kryer në Pasjan, ndërsa shqiptarët në Muqibabë.

Këto dy fshatra tashmë nuk jetojnë. Ato janë vetëm disa emra gjeografik. Njerëzit i kanë kthyer shpinën vendlindjes, në kërkim të një jetese më të mirë, por kanë përfunduar në qytete, ku ambientet janë të zhurmshme dhe ajri i ndotur nga gazrat e automobilave.

Burinca dhe Lipovica vazhdojnë “jetën” e tyre të vetme, në ajrin e pastër, pranë aromës së livandës, luleve të livadheve, ujit të çezmës që këtu rrjedh pa pra e që në qytet mungon.

Numri i fshatrave të braktisura po shtohet. Edhe Mala nga Lipovica sot e kanë shtëpinë përballë meje. Dikur lipovicasit, sillnin dru me gomarë për furrat e Gjilanit. Më kujtohet kur kalonin nëpër mëhallën time – Qarshi mëhallë./Mediafokus/