Ruzhdi Ismaili, profesori që i mbronte me ngulm vizionet e tij dhe nuk dorëzohej kurrë përballë sfidave

Mësuesit e mirë, edhe pas ikjes së tyre nga kjo botë, vazhdojnë të jetojnë mes nesh nëpër shkronja, mësime e libra, apo qoftë edhe në kujtime të nxënësve e kolegëve, përveçse të familjes dhe miqve të tyre.

I tillë ishte profesori dhe intelektuali Ruzhdi Ismajli, i cili tërë jetën e tij i shërbeu atdheut dhe shkollës shqipe. Mbi të gjitha, Ruzhdiu ishte një njeri me virtyte të larta, i matur, i vendosur, i respektueshëm. Ai, asnjëherë nuk u luhat në përcaktimet e tij ndaj arsimit dhe atdheut, që aq shumë i deshi të dytë dhe nuk i ndante nga njëri-tjetri.

Që nga viti 1980, kur për herë të parë mori ditarin në duar, Ruzhdi i kishte dhënë vetes për detyrë që ta ndihmonte kombin e tij përmes shkollës. Nuk u dorëzua dhe nuk u zmbraps as atëherë kur Serbia i mbylli shkollat shqipe. Serbia kishte frikë edhe nga abetarja.

Gjatë asaj periudhe, Ruzhdiu shumë herë u mor në “biseda informative”, me arsyetim se po bënte propagandë ndaj shtetit serb, por asnjëherë nuk u dorëzua para pushtuesve. Përkundrazi, sapo kthehej mes nxënësve, i përkushtohej edhe më shumë punës.

Në kulmin e punës, Ruzhdiu, së bashku me disa kolegë të tij, Fehmi Mahmuti, Musa Qerimi, Riza Latifi, Sabit Demiri e Rahim Azemi, në dhjetor të vitit 1989 largohen nga puna, pasi kishin kundërshtuar publikisht ndryshimet kushtetuese, që Kosovës ia merrnin edhe atë pak autonomi që kishte.

Por, sfidat e jetës nuk e zmbrapsën në asnjë moment Ruzhdiun nga qëllimi i tij jetësor. Ishte i pari që nënshkroi telegramin përkrahës për minatorët e ngujuar në zgafelle, sikurse ishte një zë i fuqishëm gjatë helmimit të nxënësve të shkollave në Gjilan dhe Kosovë dhe po aq ishte i pa kompromis ndaj padrejtësive të cilat i ushtronte regjimi serb ndaj popullit shqiptar në Kosovë.

Kur më 1989 u themelua Lidhja Demokratike e Kosovës, Ruzhdi takohet menjëherë, po ato ditë të dhjetorit të vitit 1989, me Ibrahim Rugovën e Jusuf Buxhovin dhe anëtarësohet në këtë parti. Më 5 mars të vitit 1990, mori pjesë në këshillin nismëtar të themelimit të LDK-së në Gjilan, ku u zgjodh anëtar i komisionit organizativ për Kuvendin e parë zgjedhor, i cili u mbajt më 14 prill të vitit 1990.

Kolegët e tij thonë se Ruzhdiu ishte i veçantë në familje, në shkollë, në shoqëri, në jetën arsimore dhe politike. Ishte i dashur me shokët, por i ashpër me armikun. Nuk bënte kompromis me çështjen kombëtare, të cilës ia kushtoi tërë jetën. I mbronte me ngulm vizionet e tij dhe ishte optimist për të ardhmen.

As atëherë kur pushteti serb kishte larguar nxënësit nga shkolla dhe po rrënonte gjithçka në Kosovë, Ruzhdiu nuk ndalej. Themeloi shkollën e mesme të Mjekësisë në Gjilan, në vitin 1994/95 dhe e drejtoi atë me shumë sukses për 5 vite rresht.

Gjatë kohës së luftës, bashkëpunoi në luftimin e armikut shekullor serb, duke i informuar vazhdimisht qendrat dhe shtabet e përgjithshme politike dhe ushtarake, mbi gjendjen e popullatës civile në Gjilan.

Pas luftës i rikthehet shkollës, ku ligjëronte gjuhën e ëmbël shqipe, ndaj të cilës kishte një dashuri të madhe. Ishte i bindur se Kosova do ta fitonte shpejt edhe pavarësinë, ashtu siç e kishte fituar lirinë, por vdekja nuk e la ta përjetojë këtë ditë, të cilën e kishte ëndërruar tërë jetën.

Para 16 vitesh, më 4 prill 2005, iku nga kjo botë, i papërkulur, ashtu siç jetoi e punoi deri në frymën e fundit.