“SBASHK-u të mos bëjë kërkesa shantazhuese, greva dëmton nxënësit”
Javën e ardhshme është paralajmëruar grevë në sektorin e arsimit për shkak të mos kalimit të Ligjit të pagave, përmes së cilit, punëtorët e arsimit pretendojnë rritje të pagave.
Ministria e Arsimit e vlerëson grevën si të dëmshme pas vështirësive me pandeminë, ndërsa i kërkojnë SBASHK-ut mirëkuptim dhe të mos bëjë kërkesa shantazhuese si ajo për 100 euro çdo muaj deri në miratimin e Ligjit të pagave.
Zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, në një intervistë për KP u shpreh se kërkohet më shumë kohë në hartimin e draftit final për Ligjin e pagave pasi duhet gjetur një formulë e pranueshme për të gjitha kategoritë e shërbyesve publikë, të cilët do të përfshihen në këtë ligj.
“Këtu problemi si duket është tek pakënaqësisë e SBASHK-ut me dinamiken e hartimit të Ligjit pagave. Ne kemi pas takime në fund të muajit shkurt kur ka dalë drafti, kur ka rrjedhë, sepse nuk ka qenë draft zyrtar… Këtu nuk janë vetëm punonjësit e arsimit, janë të gjitha kategoritë e shërbyesve publikë në Ligjin e pagave.
Këtu duhet durim derisa të gjendet një formulë që është e pranueshme për të gjitha kategoritë, dhe besoj që shumë shpejt ne këtë Ligj të pagave do ta kemi në formë të draftit, kur do të mund të ulemi përsëri dhe ta diskutojmë me SBASHK-un. Përndryshe për çdo shqetësim, nga ana e SBASHK-ut, jemi të gatshëm për t’i diskutuar çështjet në baza ditore”, theksoi Pupovci.
Javën e kaluar, SBASHK-u dhe disa sindikata të tjera protestuan dhe një prej kërkesave ishte që shteti të japë nga 100 euro çdo muaj deri në miratimin e Ligjit për paga. Mirëpo, për Pupovcin kjo kërkesë është e papranueshme dhe shantzhuese. Sipas tij, kjo sindikatë duhet të tregohet më mirëkuptuese.
“Prandaj deri në aprovimin e Ligjit të pagave, pagat do të jenë këto që janë, sepse nuk mund të ndryshohen çdo ditë. Pastaj duhet të kemi parasysh që ne përveç 80 mijë punonjësve në sektorin publik, i kemi edhe rreth 250 mijë të tjerë në sektorin privat, edhe ata janë qytetarë të Kosovës. Dhe nga ky këndvështrim, besoj që është SBASHK-u duhet të tregojë pak më shumë mirëkuptim.
Duhet ta ketë parasysh se po e përfaqëson një kategori e cila është e respektuar në shoqëri, kategorinë e punëtorëve të arsimit dhe jo të shtrojë kërkesa të cilat nuk janë në përputhje me reputacionin që gëzon kjo kategori në shoqëri, siç është kjo kërkesa shantazuese për 100 euro çdo muaj deri sa të aprovohet Ligji i pagave”, shtoi Pupovci.


 
 
						 
						