“S’e kemi ditur çfarë bënte” – flasin familjarët e Endrit Azemit

Familjarët e Endrit Azemit, janë distancuar nga rasti për të cilin djali i tyre dyshohet se mashtroi qytetarët, duke pretenduar se vuante nga leukemia akute dhe duke mbledhur afro 190 mijë euro donacione.

Në një prononcim për gazetaren e Klan Kosova, Vesa Hoda, familjarët kanë deklaruar se nuk kanë pasur dijeni për synimin e tij dhe se fillimisht as vetë nuk kanë besuar se mund të bëhej fjalë për mashtrim.

Sipas tyre, Endriti kishte qëndruar në Turqi që nga fillimi i nëntorit, ndërsa ishte kthyer në Kosovë gjatë fundjavës.

Ata kanë treguar se dyshimet e para u lindën pasi ai u ndalua në kufi dhe më pas i kontaktoi familjarët, raporton Klankosova.tv

Për Klanin, ata shprehën mirëkuptim për qytetarët që kanë kontribuar financiarisht, duke thënë se e kuptojnë shqetësimin e tyre.

Po ashtu, kanë bërë të ditur se po përballen me kërcënime, si në adresën e tyre të banimit, ashtu edhe përmes rrjeteve sociale.