Selami Osmani – Bezi nuk ishte vetëm një sponzor, ai e kuptoi sportin si mision ku investoi gjithë pasurinë e tij
Shkruan Ismajl Veliu
Selami Osmani – Bezi do të mbetet përjetësisht një nga figurat më të respektuara të qytetit të Gjilanit dhe një emër i pazëvendësueshëm në historinë e KF Drita.
Ai nuk ishte vetëm një sponsor i zakonshëm, por një njeri që e kuptoi sportin si mision dhe përgjegjësi shoqërore, duke e vënë dashurinë për klubin dhe qytetin mbi çdo interes personal.
Për më shumë se 20 vite, ai shërbeu si sponsor gjeneral i KF Drita, në një periudhë jashtëzakonisht të vështirë për futbollin dhe për vetë jetën në Gjilan dhe në gjithë Kosovën.
Ishin vite sfiduese, të mbushura me mungesa, pasiguri dhe vështirësi të shumta, por falë njerëzve si ai, klubi nuk u shua dhe vazhdoi të jetojë, të garojë dhe të ruajë identitetin e tij sportiv.
Me përkushtim të rrallë dhe pa kërkuar asnjëherë përfitim apo lavdi personale, Selami Osmani – Bezi kontribuoi me gjithçka që kishte.
Ai nuk kurseu as pasurinë, as kohën dhe as energjinë e tij, vetëm që KF Drita të mos ndalej dhe sporti në qytet të vazhdonte të zhvillohej.
Për shumë sportdashës, ai ishte simbol i qëndresës, humanizmit dhe dashurisë së sinqertë për futbollin.
Emri i tij lidhet ngushtë me mbijetesën dhe forcimin e klubit në kohët më të vështira, duke lënë pas një trashëgimi të madhe sportive dhe njerëzore.
Brezat e sotëm dhe ata që do të vijnë do ta kujtojnë si një njeri që dha shumë pa kërkuar asgjë në këmbim, dhe që e bëri sportin pjesë të identitetit të qytetit.
Sot, me respekt dhe mirënjohje të thellë, i përkulemi figurës së tij për humanizmin e jashtëzakonshëm, për zemrën e madhe dhe për kontributin e pavdekshëm që la në sportin dhe historinë e Gjilanit.

