Selvija mban premtimin, publikon këngën që Shpat Kasapi s’arriti ta ndajë me publikun
Siç ishte paralajmëruar më herët nga Selvija, bashkëshortja e këngëtarit të ndjerë Shpat Kasapi, është publikuar zyrtarisht projekti i tij i ri muzikor.
Kënga e titulluar “Nana” vjen si pjesë e një premtimi të Selvijës për të sjellë para publikut krijimet e lëna përgjysmë nga artisti, të cilat ai nuk arriti t’i finalizonte sa ishte gjallë.
Projekti është publikuar në platformën YouTube dhe ka tërhequr menjëherë vëmendjen e fansave, të cilët kanë reaguar me shumë emocion, duke rikthyer figurën dhe zërin e këngëtarit të ndjerë në kujtesën e publikut.
Ajo që e bën edhe më të veçantë këtë publikim është videoklipi shoqërues, ku është përdorur Inteligjenca Artificiale për të rikrijuar imazhin e Shpat Kasapit. Në video, ai shfaqet me krahë engjëlli pranë nënës së tij, duke krijuar një skenë shumë emocionale dhe prekëse.
Ky projekt pritet të jetë vetëm njëri nga disa publikime të tjera që Selvija ka paralajmëruar, me synimin për të ruajtur dhe promovuar trashëgiminë muzikore të artistit, si dhe kujtimin e tij te publiku shqiptar.

