Serbia pasivizoi mbi 6 mijë adresa të shqiptarëve në Luginë të Preshevës

Shqiptarët e Luginës, përveç problemeve me adresa, kanë edhe probleme me dokumente. Mungesa e dokumentacioneve po ua vështirëson jetën atyre.

Qytetarët e Luginës së Preshevës nuk kanë mundësi të lëvizjes së lirë. Tash e sa vjet ata janë shpërngulur në Kosovë, por të njëjtit nuk posedojnë as edhe leje qëndrim. Ata po maltretohen për të siguruar dokument të tillë, ndërkohë që për shtetësi të Kosovës kanë pak shpresa. Ata thonë se mungesa e dokumentacioneve po ua vështirëson jetën.

Në anën tjetër, janë mbi 6 mijë adresa të cilat janë pasivizuar nga Qeveria e Serbisë. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ditë më parë ka premtuar se do të lehtësohen këto procedura për qytetarët nga Lugina.

Familja e Fikri Mehmetit ishte shpërngulur para më shumë se dy dekadave në Gjilan. Ai dhe anëtarët e tij të familjes nuk janë të pajisur me asnjë dokument identifikimi. Ndërsa tregon për KosovaPress të gjitha vështirësitë në të cilat po has si shkak i mungesës së dokumentacioneve.

“Ne ballafaqohemi me shumë probleme, është fjala për një hendikep të plotë për të jetuar si qytetar në Republikën e Kosovës. E kemi mirëkuptuar qeverinë e përkohshme, e cila ka dalë menjëherë pas luftës dhe nuk ka pasur rastin me zgjidh këtë çështje. Por, nuk e kemi kuptuar qeverinë pas shpalljes së pavarësisë, e cila vazhdimisht ka vendosur kritere të rënda dhe të vështira. Ka qenë kriter sigurimi i të pasurit 5000 euro në bankë, të pasurit pronë në emër personal. Gjë që nuk besoj që asnjë qytetar në Kosovë mundet me i plotësuar këto edhe vet që jetojnë këtu”, ka treguar Mehmeti për Kosovapress, përcjell Albibfo.ch.

Ai ka aplikuar me dhjetëra herë që nga viti 2015 për lejeqëndrim në Kosovë, ndërkohë që për letërnjoftim nuk ka as edhe shpresa.

“Ne kemi aplikuar që nga viti 2015 vazhdimisht herë na është lejuar herë na është anuluar lejeqëndrimi. Është fjala për lejeqëndrim sepse për letërnjoftim në Kosovë, një herë shpresat janë zero. Leje-qëndrimin ne kemi arrit me dëshmua me dokumente prej Serbisë prej Ministrisë së Punëve të Brendshme që nuk kemi asnjë lloj dokumenti atje, as letërnjoftim e as pasaportë. Edhe atë nuk e kanë njohur, në disa raste e kanë njohur, në disa tjera jo. Kanë bërë standarde të dyfishta dhe sa herë kemi aplikuar kemi pasur vështirësi të ndryshme”, ka thënë mes tjerash ai.

Mehmeti shton se sa herë që ka dashur të aplikojë, i janë kërkuar mbi 13 dokumente.

Në po këtë gjendje janë mbi 4 mijë shqiptarë të Luginës, të cilët me dhjetëra herë kanë aplikuar për sigurimin e dokumentacioneve, dhe janë refuzuar.

“Nuk ke mundësi me lidh kontratë pune, shumica prej nesh është dashur me ndërprerë kontratën e punës, për shkak se ai nuk ka pasur mundësi me të mbajt në “të zezë”. Të tjerë ka që nuk munden me lidh kurorë, nuk munden me ndjek kurse ose trajnime të ndryshme. Nuk munden me u regjistru në entin për punësim. Ka raste të cilat nuk munden me i gëzu shërbimet të cilat i ofron spitali pa pagesë. Kalon edhe në atë nivel që të vdekurit tanë nuk mund t’i varrosem lehtësisht, sepse kërkohet një identifikim se kush janë”, ka rrëfyer ai.

Dikujt tjetër po i pamundësohet edhe vizita tek të afërmit në Kosovë. Z.S e cila ka prejardhje nga Medvegja, në kushte anonimiteti tregon se para disa ditëve është kthyer në aeroportin e Gjenevës në Zvicër, meqë nuk ka qenë e pajisur me letërnjoftim të Kosovës.

“Unë tash e sa muaj kam rezervuar biletën për të ardhur në Kosovë. Ditën e fluturimit jam kthyer në aeroportin e Gjenevës në Zvicër. Unë jam e pajisur me lejeqëndrim në Zvicër, kam edhe pasaportën e Serbisë. Por, ata kanë dashur garancion që më lejojnë hyrjen në aeroportin e Prishtinës. Kur i kam telefonuar më kanë thënë që jo”, ka treguar ajo.

Mirëpo, ajo shton se nga Ambasada e Kosovës në Gjenevë i kanë thënë se mund të udhëtojë me këto dokumente.

Me këto telashe, kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarve, Ragmi Mustafi ka thënë se banorët nga lugina po përballen tash e dy dekada.

“Shqiptarët e Kosovës qysh atëherë nuk janë regjistruar si refugjatë në Kosovë. Duke mos qenë të regjistruar si refugjatë në Kosovë, ata kanë mbetur pa dokumente e deri më tash asnjë qeveri nuk e ka nxjerrë në mënyrë të drejtpërdrejtë statusin e tyre juridik, përkatësisht nuk kanë marrë asnjë dokument në Republikën e Kosovës. Me procesin e pasivizimit që ka filluar Republika e Serbisë, përmes Ministrisë së Punëve të Brendshme kanë filluar të mbetën banorë, të cilët nuk kanë asnjë dokument nga asnjë shtet”, ka deklaruar Mustafi.