Serbisë, të vërtetën për krimet duhet t’ia themi vazhdimisht e kudo, aq më tepër në Beograd
Shaip Kamberi
Kush e kishte menduar se një ditë do të kemi përfaqësues shqiptar të institucioneve, si tash në Preshevë, që do ta kritikojnë ngritjen e temës së masakrave ndaj shqiptarëve në parlamentin e Serbisë?
E vërtetë se gjatë 30 viteve të pluralizmit në Luginën e Preshevës kemi pasur rivalitete të ashpëra midis partive lokale shqiptare.
Por kemi qenë në një vijë lidhur me masakrat, vrasjet, torturat, burgosjet, shtypjen dhe diskriminin ndaj shqiptarëve.
Kjo politikë e veçantë në Luginë, ku vazhdimisht kërkohet “konstruktivitet dhe partneritet” me qarqet e dëshmuara anti-shqiptare të pushtetit në Beograd në emër të tejkalimit të armiqësive dhe të shikimit nga e ardhmja, ku votohet hapur për kandidatët për President të Serbisë të cilët injorojnë shqiptarët, si dhe ku kritikohet ngritja e çështjes së krimeve të luftës ndaj shqiptarëve, është tejet problematike dhe shqetësuese.
Kërkesa për dënimin e kryerësve të masakrës së Reçakut nuk është vetëm çështje e Kosovës.
Është çështje e Luginës. Është çështje e njerëzimit. Sikurse kërkesa për njohjen e gjenocidit të Srebrenicës nga Beogradi.
Serbisë, të vërtetën për krimet e kryera nga aparati i saj shtetëror, duhet t’ia themi vazhdimisht. Gjithkush e kudo. Aq më tepër në Beograd.
Është përgjegjësi dhe detyrë kombëtare.
Është përgjegjësi dhe detyrë qytetare.
Është përgjegjësi dhe detyrë humane.