Shakohoxha: E paçin faqen e zezë ata që për interesa personale bashkëpunojnë me Serbinë
Organizimi i kampionatit evropian për moshat U21, nga ana e Federatës Shqiptare të Futbollit dhe asaj serbe është zyrtarizuar.
Gazetari i njohur sportiv, Dritan Shakohoxha, ka reaguar me tone të forta kundër vendimit që Shqipëria dhe Serbia të organizojnë së bashku Kampionatin Evropian U-21.
Në një deklaratë të tij, Shakohoxha e quajti këtë bashkëpunim një “turp” dhe kritikoi ashpër ata që e bëjnë këtë për interesa personale.
“Turp dhe e paçin faqen e zezë ata që për interesa personale e bëjnë këtë bashkëpunim. Nuk ka asnjë motiv tjetër që Shqipëria dhe Serbia të organizojnë këtë Kampionat bashkë. Asnjë vend në rajon nuk pranon të bashkëpunojë me këtë vend. Maqedonia nuk pranon, Sllovenia nuk pranon, Kroacia nuk pranon, Bosnja nuk pranon, këtë gjë e pranon vetëm Shqipëria, e cila është paterica e serbëve,” deklaroi ai.
Sipas Shakohoxhës, Serbia dhe vendet sllave mbështesin Shqipërinë vetëm për të marrë vota dhe për të pastruar imazhin e tyre, një veprim që ai e cilëson si të papranueshëm dhe të motivuar nga interesat e ngushta.

