Shala akuzon punëkryesit e autostradës: Kryen shpërthim afër shtëpive pa paralajmërim (VIDEO)
Kompania kontraktuese për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Gjilan ka kryer dje një shpërthim me eksploziv afër lagjes Markoc (Ponesh i Vogël), me ç`rast jo vetëm që ka dëmtuar shtëpitë e qytetarëve, por edhe ka shqetësuar e rrezikuar banorët, meqë kjo, sipas tyre, është bërë pa paralajmërim.
Refik Shala, banor i lagjes, thotë se detonimi është bërë pa paralajmërim, afër shtëpive dhe përveç frikës nga dridhjet e forta, fuqia e tij ka hedhur edhe copa gurësh e dheu nëpër oborre e mure, siç shihet në këtë foto.
‘Pos problemeve që traseja e autostradës na ka shkaktuar me ujin e pijes, me pronat tona shekullore, tani jemi të rrezikuar edhe nga shembja e shtëpive’, ka thënë për mediafokus.info Refik Shala, i cili ndihet shumë i zemëruar me atë që ka ndodhur dje.
Ai thotë se një pjesë e madhe e pronave u kanë ngelur matanë autostradës, ndërsa nuk është paraparë të paktën një nënkalim ose mbikalim për t`u krijuar qasje në tokat e tyre.
Përndryshe, banorët e kësaj lagje kanë shprehur disa herë deri tani shqetësime me rrjedhat e punimeve në këtë segment, jo vetëm nga zhurma e makinerisë, pluhuri, shpejtësia e pakontrolluar e transportuesve, por edhe nga problemi që autostrada u ka krijuar me ujin e pijes.
Tani, ata u shqetësuan, u rrezikuan dhe u dëmtuan edhe nga shpërthimi, për të cilin, të paktën, mund të ishin paralajmëruar. /Mediafoksu.info




