Shefi i NATO-s njofton dislokimin e 700 trupave shtesë në Kosovë
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka njoftuar dislokimin e 700 trupave shtesë në Kosovë për shkak të tensioneve në veri të vendit.
Në një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin norvegjez, Jonas Gahr Store, shefi i NATO-s po ashtu tha se aleanca do të vendosë një batalion nga forca rezervë në gatishmëri të lartë, në mënyrë që të mund të vendoset nëse është e nevojshme.
Stoltenberg bëri thirrje që sulmet në Kosovë “duhet të ndalen”.
Deklaratat e tij erdhën pasi të paktën 30 ushtarë të NATO-s u plagosën në përleshje.
Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë (KFOR) njoftoi se 11 trupa hungarezë dhe 19 trupa italianë pësuan lëndime të shumta nga mjetet shpërthyese në demonstratat e djeshme në Zveçan të Kosovës.
Tre ushtarë hungarezë po ashtu u plagosën nga armë zjarri, por lëndimet e tyre nuk janë në rrezik për jetën.
Tensionet kanë kapluar Kosovën me demonstrues dhe forca të sigurisë që u përleshën në komunat në veri të vendit, të mbizotëruara nga serbët, për shkak të zgjedhjes së kryetarëve shqiptarë të komunave.

