Shefi i stafit të Kurtit, kishte marrë nga Qeveria Thaçi rreth 600 mijë euro

Luan Dalipi, shefi i stafit të kryeministrit Albin Kurti, javë më parë ka hedhur akuza të rënda në drejtim të disa medieve në Kosovë, duke i lidhur këto të fundit me “biznese kriminale”, me ç’rast ka kërkuar nga qytetarët që t’i bojkotojnë të njëjtat.

Ky postim i Dalipit në rrjetin social “Facebook” u përcoll me një kundërpërgjigje të fortë nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), i cili konsideronte se thirrja e tillë publike e njeriut të afërt të kryeministrit Albin Kurti është e rrezikshme dhe thirrje e hapur për linçim.

Por, kompania ku Luan Dalipi ka qenë aksionar, ““Managment&Develoopment Associates”L.L.C” në vitin 2012 kishte arritur një kontratë tre vjeçare në vlerë prej 375 mijë € me Ministrinë e Integrimeve Evropiane, në kohën kur kryeministër i vendit ishte Hashim Thaçi, një pjesë të së cilave mjete e kishte shpenzuar edhe për reklamime në disa mediume kosovare, raporton portali “Front Online”.

Për më tepër, portali “Front Online”, bazuar në Ligjin për Qasje në Dokumente Publike, ka siguruar të gjitha kontratat/faturat e kompanisë “MDA” me Ministrinë e Integrimit Evropian, ku ka zbuluar se kontrata tri vjeçare në vlerë prej 375 mijë euro nuk i ka mjaftuar kompanisë së Dalipit, por e njëjta është tejkaluar për hiç më pak se mbi 190 mijë euro.

Asokohe nuk kishte “tavan” ligjor për përqindjen e shumës që mund të tejkalohej, e cila gjë tashmë nuk lejohet për një tejkalim të tillë financiar.