‘Shefi im është një kriminel, shet armë që vrasin popullin’
Një ukrainas u arrestua pasi fundosi pjesërisht super jahtin luksoz të shefit të tij rus, 7.7 milionë dollarësh, në Spanjë, në shenjë proteste ndaj pushtimit të Ukrainës nga Kremlini.
Taras Ostapchuk, 55 vjeç, u arrestua të shtunën në Mallorca pasi dyshohet se hapi disa valvula për të përmbytur qëllimisht anijen.
Jahti – i quajtur Lady Anastasia – është në pronësi të biznesmenit, Alexander Mijeev, i cili është CEO i kompanisë ruse të armëve ushtarake, Rosoboronexport.
Kur oficerët mbërritën për të arrestuar Ostapchuk, anëtari i ekuipazhit thuhet se tha: “Shefi im është një kriminel që shet armë që vrasin popullin ukrainas”.
Ostapchuk tha se ai u nxit për të fundosur jahtin luksoz pasi pa raportet e lajmeve për pushtimin rus të Ukrainës, sipas medias lokale.
“Kam parë lajmet për luftën. Kishte një video të një sulmi me helikopter në një ndërtesë në Kiev. Armatimi i përdorur prodhohet nga kompania e pronarit të jahtit. Ata po sulmonin të pafajshmit,” tha Ostapchuk ndërsa përballej me gjykatën.

