Shefi që e ndjeu veten shërbëtor para qytetarit
Njëri ndër punëtorët më të zellshëm dhe më principiel që ka pasur Kadastra e Gjilanit, pas luftës, Musa Kamberi, është pensionuar sot.
Për rreth 22 vjet, Musa Kamberi, jurist, punoi në Komunë, fillimisht në Drejtorinë për Informim dhe Demokratizim dhe pastaj në Kadastër, shef sektori.
Para luftës nuk iu kishte dhënë mundësi të punojë. Komisionit për rekrutim i kishte bërë përshtypje përgjigjja që kishte dhënë në aplikacion sa i përket përvojës së punës.
“15 vjet pritje në Bashkësinë për Punësim”.
Në punë, për gjithë këto vite, Musa Kamberi u shqua për komunikim, disiplinë, profesionalizëm e korrektësi.
Ai ishte shef në vendin e punës, por kurrë nuk e ndjeu veten të tillë përballë palëve dhe kolegëve.
“Mbi 20 vite punë vetëm në Kadastër, Musa Kamberi la gjurmë të mëdha në drejtorinë tonë” – ka thënë drejtori Bekim Salihu.
Musa Kamberin e kanë uruar edhe tre ish-drejtorët e Kadastrës.
Murat Hoxha: Është ndjenjë e mirë dhe krenari arritja në fundin e karrierës së zyrtarit publik (shefit të kadastrës), i dinjitetshëm dhe me vlerësim shumë pozitiv në punë. Sigurisht që pensionimi është proces ligjor-formal në administratën shoqërore, por kërkesat për dijen dhe përvojën tënde do të jenë të nevojshme edhe më tutje.
Sali Fazliu: Liria është sinonim i pensionimit: që nga sot nuk ke nevojë me ra herët në gjumë e as në mëngjes me u zgju me alarm. Nuk ke me u ballafaqu me presionin e kohës, me stresin e lëndëve a po kryhen me kohë apo jo. Tash tu ka ofru mundësia që më tepër t’i përkushtohesh vetes dhe ta kalosh kohën me të afërmit tu, familjen tënde. Mua më mbetet të të falenderoj për kohën që kemi kaluar së bashku, shkëmbimin e përvojave dhe përkushtimin tënd në punë.
Gani Neziri: Pensionimi është data që shënon fundin e obligimeve me punë për shtetin. Njëkohësisht, shënon edhe fillimin e “moshës së artë” për ta jetuar jetën krejtësisht i lirë. I liruar nga urdhërat e drejtorëve që vijnë një pas një. I liruar nga kërkesat “urgjente” të palëve të vonuara. I liruar nga intervenimet e shpeshta të kolegëve për miqtë e tyre… I lirë për vikende me familje. I lirë për t’u kënaqur me nipër e mbesa….

