Shëmbëlltyra e Qemajl Jakupit do t’i mungojë arsimit tonë
Shkruan: Mehmetali Rexhepi
IN MEMORIAM: QEMAJL JAKUPI (1954-2020)
Shumëkush mund të pandeh se akti i vdekjes së personit të vdekur, ia abstragon të gjitha bëmat e papëlqyera, andaj vjen shprehja e hershme latine: vetëm mirë për të vdekurit. Aq sa e kam njohur dhe si e njoha unë, Qamajl Jakupin, ai njeri, ai shok e mik, ai koleg pune kishte vetëm cilësi të mira!
Cilësitë e mira mbizotëronin karakterin e Qemajlit. Qemajli ishte mësimdhënës i lëndës së Kimisë, kur punonim në Gjimnazin e përgjithshëm “Zenel Hajdini” në Gjilan. Pas përvojës relativisht të gjatë në rrjedha të mësimdhënies dhe të edukimit, ai do të merrte një rol tjetër, po ashtu i lidhur më arsimin, por veprimtaria e tij lidhej kryesisht me çështje të mbikëqyrjes së procesit edukativ-arsimor në fushë të zbatimit të ligjshmërisë së mësimdhënies e të mësim-nxënies, të përshtatjes së dokumentacionit me metodologjinë e mësimdhënies, sipas reformimit të plan-programeve shkollore të nivelit përkatës.
E di për Qemajlin, se veprimtaria që kryente ai, ishte me plot kërkesa administrative, ndonjëherë tejet të ndërlikuara dhe vështirë të përballueshme për t`i kapur volumet e punës në Drejtorinë e Arsimit të Komunës së Gjilanit… Qemajli, jo njëherë, më ishte ankuar për vështirësitë, por punët sado të lodhshme i kryente me përgjegjësi.
Ai ishte kuadri që kishte përgjegjësi dhe respekt ndaj punës dhe kolegëve në çdo mjedis… Besoj, të gjithë ata që e kanë njohur, pikërisht për të tillë e kanë çmuar. Të tilla shëmbëlltyra iu kanë dashur arsimimit tonë, karakterit dhe etikës sonë profesionale dhe edukative…
Asnjëherë, profesor Qemajl Jakupi, nuk ngurronte ta ndihmonte e këshillonte akëcilin koleg, kujdestar klase ose nxënës për problematikën që kishte të bënte me interesin e nxënësit, për nxënësit dhe shkollën…
Qemajl Jakupi arriti moshën e tretë pas pensionimit, mirëpo vdekja nuk i dha një mandat më të gjatë, të kënaqej me më të dashurit e vet, familjarë, miq e shokë… Ai la te të gjithë ata që e njohën një butësi njerëzore!…
Qoftë e pashuar drita e urtësisë të kolegut Qemajl Jakupi!

