Shemsedin Ramushi: Unë do të angazhohem për familjen, shtetin dhe shoqërinë
Shemsedin Ramushi është kandidat për deputet në Listën për Familjen në zgjedhjet e shkurtit 2025.
Lista për familjen nuk është grupim politik që garon për interesa të ngushta.
“Ne jemi Lista për Familjen. Për ne, familja, me të gjitha vlerat e saj, shoqëria dhe shteti, liria dhe demokracia janë vlerat mbi të cilat besojmë”, thotë Ramushi.
Ai ka tashmë një karrierë politike dhe vendimmarrëse. Ata që e njohin, sigurisht se e dinë sa i përkushtuar ka qenë Shemsedin Ramushi edhe deri tani në përfaqësimin dhe mbrojtjen e interesit publik.
“Kurrë, në asnjë rast, nuk jam nisur nga interesi personal kur kam votuar për një vendim. E them pa modesti, se shpeshherë kam kontribuar në kapërcimin e ngërçeve politike në vendimmarrjen komunale”.
Tani ai është para një rrugëtimi tjetër, ku shpreson e beson se do të marrë mbështetjen e qytetarëve për të arritur këtë qëllim, jo për vete, por për ju, për të gjithë shoqërinë kosovare, pa përjashtim.
Si ekonomist me përvojë, ai mund të ndihmojë shumë për të përgatitur e miratuar ligje që lehtësojnë e avancojnë ekonominë tonë, përmes forcimit të infrastrukturës dhe investimeve, që është gurthemel i një shteti stabil e të zhvilluar.
Humanizmi është ana tjetër që karakterizon personalitetin e tij. Ai ka potencial të kontribuojë në përmirësimin e kuadrit ligjor të këtij sektori, ku aktualisht ka shumë probleme.
Premton se do të jetë i hapur për qytetarët.
“Dera ime do të jetë gjithmonë e hapur për ju që keni nevojë për të diskutuar për probleme e për të qenë zëri juaj në Parlament.
Si deputet do të jem gjithnjë mes jush, ashtu siç kam qenë si qytetar i thjeshtë, si vendimmarrës komunal, si njeri. Ashtu siç më njihni, mbi të gjitha modest.
Si komunë e si regjion, jemi anashkaluar në shumë vendime e për shumë vite, por tani ka ardhur koha të ndryshojnë gjërat.
Dijeni se çdo vendim që merret, ka efekt edhe në familjet tuaja. Pikënisja e çdo të mire apo të keqe, është te vota juaj”, thotë Shemsedin Ramushi.