Shëngjini i të gjithëve
Sabedin Sherifi
Aty buzë detit, në Shëngjin,
i varfri e i pasuri bëhen një.
Përballë dallgëve nuk ka tituj,
ka vetëm njerëz dhe frymë lirie.
Aty ku Zoti krijoi detin për të gjithë,
pa gardhe, pa bileta, pa dallime.
Dielli ngroh çdo ballë njësoj,
dhe era përqafon çdo zemër.
Shija e kripës është falas,
tingulli i valëve nuk ka çmim.
Perëndimi i diellit nuk blihet,
as qielli nuk shitet me metra.
Por çudi e kohës sonë…
Rrushi shitet pa kandar,
e vaji i ullirit kushton më shumë se në farmaci.
Mikpritja matet me faturë,
e buzëqeshja shpesh me fitim.
Megjithatë deti mbetet i drejtë;
nuk pyet sa ke në xhep,
por sa paqe sjell në shpirt.
Dhe çdo dallgë na kujton se natyra
na krijoi të barabartë,
janë njerëzit ata që shpikin dallimet.

