Sherri i Imri Ahmetit e Xhafer Tahirit, komunat e humbin grantin në vlerë prej 5.2 milionë euro
17 komuna janë shpërblyer nga Ministria e Pushtetit Lokal (MPL) dhe Qeveria e Zvicrës në shumën prej 5.2 milionë euro, para 3 javësh, për performancën e vitit 2019, raporton Mediafokus.info.
Por, të premten, ministri i MPL, Goran Rakic, ka marrë vendim për pezullim të këtij procesi, që i bie shkëputje e marrëveshjes trepalëshe MPL- komunave dhe Helvetas Swiss Cooperation në Kosovë.
Burime brenda MPL i kanë thënë Mediafokus.info se shkaktartët kryesorë për marrjen e këtij vendimi kanë qenë dy kryetar të komunave, Imri Ahmeti i Lipjanit dhe Xhafer Tahiri i Vushtrrisë.
Sipas këtyre burimeve, ata kanë keqpërdorur Kuvendit e Kosovës përmes 3 deputetëve dhe Asociacionin e Komunave të Kosovës, të cilët janë shprehur në emër të të gjithë kryetarëve të komunave se ‘vlerësimi për grant s’ka qenë transparent nga ana e MPL’.
Krejt kjo ka ardhur pasi kanë dështuar ta heqin njërin nga kriteret bazë të vlerësimit të MPL e që është rishqyrtimi i vendimeve të kundërligjshme, të cilën nuk e kanë bërë.
Pra, meqë Lipjani dhe Vushtrria kanë pasur shkelje ligjore gjatë vitit 2019 dhe nuk i kanë rishkuar vendimet e kundërligjshme, janë diskualifikuar nga Granti i Performancës.
Këtë qëndrim të tyre për mos suksesin në këtë pikë, njëri nga zyrtarët e lartë të MPL e ka vlerësuar në formë interesante.
“Në këtë rast, ata kanë vepruar në stilin ‘U kallëm na, u kalltë dynjaja”, ka thënë ky burim për Mediafokus.info.
Pas vendimit të ministrit Rakic, Asociacioni i Komunave të Kosovës ka lëshuar një deklaratë më 26 shtator.
“AKK shpreh shqetësim dhe nuk pajtohet me vendimin e Ministrit të Pushtetit Lokal (MPL) dhe e konsideron akt të paprecedentë dhe shpreh shqetësim lidhur me vendimmarrjen e njëanshme të MPL për shkëputjen e kontratës me donator për skemën e granteve për komuna e ku komunat do humbin 5.2 milionë euro”, thuhet, përvec tjerash, në deklaratë.
Loja me deklarata e vendime, iu kushtoi jo pak 17 komunave përfituese të Grantit të Performancës.
Mediafokus.info ka kontaktuar kryetarin e Lipjanit dhe atë të Vushtrrisë. I pari ka qenë i paqasshëm, ndërkohë që kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka kërkuar që t’i dërgohen pyetjet përmes e-mailit, për të marten, duke premtuar se do të përgjigjet./Mediafokus.info/

