Shkaku i pandemisë është ndërprerë xhirimi i filmit dokumentar BEKIM FEHMIU

Xhirimi i filmit për Bekim Fehmiun është ndërprerë përkohësisht, shkaku i pandemisë.

Premiera nuk do të jetë më 15 qershor siç ishte paraparë. Nëse gjerat shkojnë mirë, premiera pritet të jetë në nëntor.

Skenaristi Fahri Musliu ka njoftuar se për shkak të pandemisë Covid 19, janë ndërprerë xhirimet e filmit dokumentar BEKIM FEHMIU.

Kjo ka bërë që nuk po mundemi ta realizojmë planin që filmi të përfundojë deri në fund të Majit 2020 dhe të shfaqet premierë më 15 Qershor, në 10-vjetorin e vdekjes së Bekimit, ka thënë Musliu.

Xhirimet do të vazhdojmë kur të hiqen masat e mbylljes së kufijve, meqë pjesë të xhirimeve kanë të bëjnë me Italinë, Francën dhe SHBA.

“Shpresojmë se e gjithë kjo do të realizohet deri në Nëntor të këtij viti, që premiera të shfaqet për Festën e Ditës së Flamurit”, ka thënë skenaristi Musliu.

Por nuk është Covid 19 problemi i vetëm që kanë ekipi realizues i filmit.

“Gjithashtu ju njoftojmë se kemi probleme të mëdha financiare, meqë deri më tash nuk është përmbushur asnjë kërkesë e jona, drejtuar institucioneve qendrore dhe atyre lokale të Kosovës, por edhe donatorëve tjerë.

Megjithatë, mbetemi me shpresë se këto institucione, firmat private, fondacione e individë nga vendi e bota, që e vlerësojnë figurën dhe veprën e Bekimit, do të tregojnë interesim për të hapur kuletën dhe bashkërisht t’ia dalim ta realizojmë me sukses këtë projekt bukur të madh e të ndërlikuar, por të rëndësishëm dhe me vlerë të madhe kulturore e artistike”, ka shkruar Fahri Musliu.

Filmi do të realizohet në tri gjuhë. Filmi ka nisur rrugëtimin e vet pas përgatitjeve të gjata, me vullnet të mirë dhe vendosmëri të realizuesve të tij, por pa mjete të duhura financiare./mediafokus.info