Shkencore: Varianti Delta dyfishon rrezikun e shtrimit në spital

Njerëzit e infektuar me variantin Delta kanë dy herë më shumë gjasa të shtrohen në spital për Covid-19 sesa ata të infektuar me variantin Alpha, përfundon një studim britanik i botuar sot.

“Analiza jonë tregon se nëse nuk do të kishim vaksinimin, një epidemi për shkak të variantit Delta do të vendoste një barrë më të madhe në sistemin shëndetësor sesa ajo që ishte shkaktuar nga varianti Alpha”, nënvizoi Anne Presanis, bashkautore e studimit.

Dihet tashmë se varianti Delta, i identifikuar së pari në Indi, është rreth 40% deri në 60% më i transmetueshëm se varianti Alpha, i cili ishte shfaqur në Mbrërinë e bashkuar, në fund të vitit 2020.

Por ende nuk ka shumë informata mbi ashpërsinë e tij, megjithëse të dhënat paraprake nga Skocia dhe Singapori tashmë sugjerojnë një rrezik në rritje të shtrimit në spital dhe formave të rënda të Covid me këtë variant.

Nëse marrim rastin e Kosovës, numri i të infektuarve, atyre që janë të shtrirë në spital dhe numri i lartë i vdekjeve ilustrojnë më së miri transmetimin aq të shpejt të variantit Delta.

Meqë numri i atyre që janë plotësisht të vaksinuar me të dy dozat nuk është ende 20 përqind e popullatës së përgjithshme, edhe simptomat që zhvillohen nga ky variant janë më të ashpërta dhe si rezultat i kësaj, vdekjet përbëjnë një numër shqetësues./MLH