“Shkodra, Zija Çela dhe largësia e afërsisë”
Aziz Mustafa
1.
Para ca ditësh, duke u kthyer nga Ulqini, u ndala në Shkodër. Kaloj Urën e Hekrit dhe marr në të kundërtën e së djathtës; më është bërë zakon: parkoj veturën dhe ia jap një xhiro shëtitores së qytetit historik.
Kaloj përbri Kafes së Madhe që nuk po mund të kryhet së restauruari dhe krah për krah me time shoqe dhe Lirën, me nga një akullore në dorë mundohemi të ecim hijeve të shëtitores, deri te libraria me libra të ngjeshura deri në tavan.
Pasi flasim me shitësin për “Pedro Paramo”-n e Juan Rulfo-s dhe si dhe për atë se çka ka thënë G.G. Markezi për atë libër, pa hezituar kërkoj shkrimtarin e duhur në qytetin e tij të lindjes.
E cili shkrimtar duhet të kërkohet në Shkodër, thoni ju?
2.
Zija Çela, natyrisht.
Gjej dy: “Banka e Ankesave” dhe “Thika pa gjak”. Njërën për vete tjetrën për mikun, mbase të vetëm, që kësaj here ia dhuroj pa e nënshkruar, që ta ketë ku të nënshkruajë autori, të cilin duhet ta takojmë pa tjetër.
Si nëpër ëndërr më kujtohen “Gjaku i dallëndyshes” dhe “Goja e botës”.
Turpërohem nga vetja sa pak e kam lexuar një prozator nga më të mëdhenjtë e letrave shqipe. Sa mbërrij në shtëpi futem në rrjet dhe i shkruaj autorit:
“…pata përshtypjen se fryma juaj ishte në atë librari të ngjeshur me libra. Po e them drejtpërsëdrejti: u mrekullova dhe besoj se mrekullia do të vazhdojë duke lexuar me radhë korpusin tuaj.
Por, duke u gëzuar për shëndetin tuaj të mirë, shpresoj së shpejti të ndani pak nga koha juaj për një darkë a drekë, në Tiranë, Shkodër a Fishtë, ju zgjidhni.
Unë me mikun tim Xhevat Latifin jemi të dy gjilanas dhe jemi atje për 4 orë. E çka janë 4 orë krahasuar me 4 mijë vjet vetmi?
Një histori kemi qenë të ndarë, Kosovë e Shqipëri. E kush e bën një Shqipërinë, si Zotin pos shkrimtarëve, ata që krijojnë gjithçka nga asgjëja?”
3.
Nuk vonoi shumë dhe Zija Çela ma ktheu përgjigjen. Në atë përgjigje plot emocion dhe ndjenjë, si në një hije të tejzgjatur kur perëndon dielli, shihej madhështia e modestisë në tij.
Ndjeva si një ndjenjë frymëzimi dhe fisnikërie mi përshkuan mendimet.
Tani, gjashtë ditë më vonë, kur përfundova së lexuari “Banka e Ankesave”, duke dëgjuar në “Youtube” “Pushtimi i Parajsës” të Vangjelis dhe “Kalorësit e Gralit të Shenjtë” të Hans Zimmer, i dehur nga kënaqësia e leximit dhe muzikës, po ndjehem i privilegjuar të jetoj në kohën e Zija Çelës dhe artit të tij.
Ngrehinat e tij artistike, me personazhe të shumtë, me të cilët personifikohesh që në fillim, janë realizuar me një realizëm magjik dhe me një stil të që çlodhë gjatë leximit, por edhe të mallëngjen me tragjiken dhe groteskun që kap një dimension universal.
Paç jetë të gjatë dhe shëndet të mirë, Zija Çela; të lumtë pena!

