Shkrimtarja amerikane: Do të doja shumë të isha një shqiptare e Malësisë

Rose Wilder Lane, një shkrimtare amerikane, në vitet e 20-ta vizitoi Shqipërinë, më saktësisht viset malore të saj, duke marrë përsipër rreziqet e shumta të asaj kohe.

Impresionet nga ajo vizitë, Lane i ka përmbledhur në librin “Majta e Shalës”.

Libri i cili në fakt është përshkrim i një udhëtimi disa ditor në Malësinë e Shkodrës, prezanton të vërtetat e popullit shqiptar i cili ishte shumë pak i njohur për botën e jashtme ose thënë më saktë i njohur për Kanunin e Lekë Dukagjinit, që ishte ligji i vetëm në thellësinë e malësisë, atje ku vështirë mund të depërtoje.

Por, ajo çka e bën librin “Majat e Shalës” librin më të mirë i shkruar për Shqipërinë nga një i huaj, është pikërisht këndvështrimi prej shkrimtareje i Roze Lanet, i cili kapërcen interesat antropologjike, historike, politike dhe gazetareske.

Më konkretisht, Lane shprehet: “e tëra ajo që ne e quajmë qytetërim, është si një melodi që e kemi dëgjuar dje, diç e vockël që lundron mbi suprinën e mendjeve tona, me të cilën herë-herë mund ta mbajmë hapin dhe pastaj për një hop na humbet, kështuqë nuk mund ta mbajmë në mend.”

Për librin, Rose shprehet se: “kjo vepër nuk përmban ndonjë aspekt ku mund të ketë ndikime politike apo diçka tjetër e cila mund të keqinterpretohet apo trajtohet ndryshe, kjo vepër  është një rrëfim pa ngjyrime politike apo të bazuar nga rrëfime dhe tregime të ngjashme për shqiptarët, këtu mund të shohim diçka të ndjerë dhe përjetuar nga vetë unë dhe ekipi im së bashku me miqtë e mi shqiptarë të cilët bënë të mundur rrëfimin tim.”

Në këtë vepër përshkruhen doket dhe zakonet e shqiptarëve, rrëfimet e mahnitshme folklorike, përrallat me zana dhe ore, këngët e trimërisë dhe ato të dashurisë, veshja e malësoreve shqiptarë, mikpritja dhe portreti i atyre njerëzve të cilët shpalosin një botë në vete, një epokë që në Evropë dhe përtej oqeanit kishte përfunduar kohë më parë.

Këta njerëz shpalosin atë që Evropa e kishte fshehur dhe mohuar për dekada dhe Shqipëria ishte bërë pre e shumë tryezave të rrumbullakëta në kontinentin e vjetër.

“Sikur të udhëtoja në kohë, do të doja shumë të kisha qenë një shqiptare e Malësisë së Shqipërisë në këto vite. Do të kisha pasur fatin të jem pjesë e një populli të varfër nga jetesa dhe ekonomia por të pasur shpirtërisht”, shprehet Rose në një nga rrëfimet e saj, përcjellë njëkomb.org.

Ky libër dhe kjo ekspeditë e një gruaje, shkrimtare, gazetare, Miss Lejn i tregon botës se si kanë qenë në të vërtetë shqiptarët, njerëz bujar, mikpritës të dashur dhe me një dashuri të madhe për token, traditat dhe shkollimin, dëshira e madhe për t’u arsimuar, sa herë përmendej shkolla vërehej menjëherë një entuziazëm në sytë e tyre, dëshira e tyre për të mësuar dhe shkruar ishte e madhe edhe pse kushtet në të cilën jetonin ishin të mjerueshme… kishin mendje fisnike. Mysafirët ishin të respektuar, ndërsa gjakmarrja mbizotëronte, ishte ligji i vetëm në Malësi, armikun e kishin afër, duhej të mbroheshin disi, edhe pse ligji i Kanunit ishte vetë jeta për ta.

Këto janë vetëm disa nga tregimet që shkrimtarja amerikane ja rrëfen botës për një popull që ndoshta pak njihej atë botë.