SHKSHZ zgjedh kryesinë e re dhe shpall fituesit e konkursit për poezi

Shoqata e Krijuesve Shqiptarë të Zvicrës, me një orë letrare dhe me shpalljen e rezultateve të konkursit letrar, ka shënuar Ditën Botërore të Poezisë, raporton albinfo.ch

Fillimisht u bë shpallja e rezultateve të konkursit letrar, respektivisht të çmimit “Martin Camaj”.

Çmimi i parë i ka takuar autorit Ramë Oraca për poezinë e tij “Për Ty”.

Çmimin e dytë e ka fituar Arbër Metuku me poezinë me titullin “Lundërtar”, ndërsa çmimi i tretë i është dhënë poetes Emrije Krosi për poezinë e saj “Vetja ime dhe unë…”.

Për botim janë marrë poezitë e Afrim Demirit, Shkurtë Kadriu – Çitaku, Lulzime Malaj, Ajne Iberhysaj, Aferdita Salihu, Trëndafile Lula, Sadik Krasniqi, Fatmire Sopa, Vaxhid Xhelili.

Ndërkaq në orën letrare me karakter garues, poezitë e tyre i lexuan Fatmire Sopa, Miradije Maliqi, Shaip Beqiri, Arbër Ahmetaj, Xun Çetta, Brahim Avdyli, Shaqir Ahmeti, Gani Bytyqi, Hyrije Jusufi, Shefik Arifi dhe Bujar Salihu.

Juria në përbërje: Bit Gecaj, Adem Dërmaku dhe Bujar Salihu, çmimin “Pena e Martinit” ia ndau poezisë së Arbër Ahmetajt “Fryni erë e Bunës”.

Në pjesën e dytë u zhvilluan punimet e Kuvendit të ShKShZ-së, ku me votim të fshehtë është zgjedhur kryesia e re e shoqatës.

Bujar Salihu u rizgjodh kryetar i ShKShZ, Mirela Duka nënkryetare, kurse Edlira Dedja, Fatmire Sopi dhe Adem Dërmaku, anëtarë të kryesisë.