Shoqëria civile kundërshton pagesën e policës së sigurimit për mërgimtarët

Organizatat jo qeveritare kanë dalë kundër vendimit të Qeverisë së Kosovës për pagesën e “kartonit të gjelbër”, nga 1 korriku e deri në fund të vitit. Vendimi është vlerësuar i pamatur dhe i palogjikshëm.

Komunikata e plotë:

Qeveria e Kosovës së fundmi ka nxjerrur Vendimin 19/16 të datës 22.06.2021 për heqjen e primit të sigurimit kufitar apo siç njihet ‘Kartoni i Gjelbërt”, shërbim ky që planifikohet të mbulohet terësisht nga Qeveria e Kosovës për të huajt që vijnë në Kosovë deri në fund të vitit 2021. Ne, organizatat e poshtëshënuara, fuqishëm e kundërshtojmë një vendim të tillë duke e vlerësuar si të paarsyeshëm që buxheti i Kosovës i mbushur me para të taksapaguesve të varfër të shfrytëzohet për të mbuluar shpenzime private për automjete të personave privat.

I kujtojmë Qeverisë që ky vendim është tendencë e qartë për keqpordorim të parasë publike përmes financimit nga buxheti i Republikës, buxhet i cili në asnjë rrethanë nuk i dedikohet subvencionimit të shërbimeve të shtrenjta të sigurimit të autopërgjegjësisë që rezulton nga veprimi privat i ngasësve të tyre.

Për më tepër, buxheti është rrjedhojë e një kontributi të një shumice të varfër të qytetarëve, e i cili reflekton detyrimin për shpenzimin maksimalisht racional dhe vetëm për objektiva që janë të domosdoshme e që kanë për qëllim një ineteres publik të Republikës.

Prandaj, ne vlerësojmë që ky shpenzim në këtë formë është plotësisht i pa justifikueshëm, e promovon një model të pabarazisë sociale ku shteti ndërhyn për të subvencionuar pronarin e automjetit që në parim është një individ me status relativisht solid pasuror, dhe mundëson një sjellje të qeverisë që përmes klientelizimit të të subvencionuarit t’i përfitoj atij mbështetjen politike. Vendimi si i tillë promovon një model jo të mirë të politikbërjes, pasi që hap horizonte për vendime të ngjashme të kësaj natyre në të ardhmen edhe nga qeveri pasardhëse.

Vendime të tilla janë në kundërshtim me modele zhvillimore ekonomike, marrë parasysh që përfitues janë kategori siç janë personat privatë dhe Byroja Kosovare e Sigurimeve (BKS), e cila ka një histori të gjatë të lidhjeve korruptive me familjarë të ish pushtetarëve të kaluar.

Në vend të kësaj, Qeveria e Kosovës nëpermjet Byrosë Kosovare të Sigurimit duhet të bëjë përpjekje konkrete që ta fus Kosovën në Kartonin e Gjelbër, e jo të ndërmarrë veprime që shkaktojnë shpenzime luksi në kurriz të qytetarëve të varfër të Republikës sonë.

Prandaj, ne e shohim këtë vendim të Qeverisë si të pamatur dhe palogjikshëm në kontekstin social e politik në të cilin gjindemi. Pavarësisht fuqisë së madhe politike që i lejon për të marrë vendime të tilla, Qeveria duhet të tregohet e matur dhe serioze, duke i shmangur vendimet populiste dhe të ngutshme që e fusin shtetin e Kosovës në obligime që në këtë periudhë nuk do të duhej të ishin parësore, duke e marrë parasysh mirëqeninen e ulët ekonomike në vend.

Me respekt:

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS)

Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet, ÇOHU

Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS)

Lëvizja FOL

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP)

Rron Gjinovci.